Lidhje

SHBA: zyrtarët thonë se kanë një plan për mposhtjen e kryengritjes në Irak - 2004-09-12


Zyrtarë kryesorë të administratës Bush thonë se kanë gati një plan për të mposhtur kryengritësit në Irak. Siç njofton nga Shtëpia e Bardhë korrespondentja jonë Paula Wolfson, këshilltarët e presidentit për politikën e jashtëme theksojnë se rebelimi në Irak nuk do t’i ndalë dot zgjedhjet që janë planifikuar të zhvillohen atje në fillim të vitit tjetër.

Sekretari i shtetit Colin Powell thotë se gjendja është e vështirë në disa qytete irakiane, në zonën e quajtur trikëndëshi sunit. Por ai tha se në disa zona po bëhet përparim dhe se ekziston një strategji për të mposhtur kryengritësit në disa zona të tjera, duke përdorur si mjete ushtarake ashtu edhe politike.

"Komandantët tanë ushtarakë, që punojnë me ushëheqësit ushtarakë irakianë dhe me qeverinë e përkohëshme irakiane, kanë hartuar plane për secilën prej atyre zonave që ato të vihen nën kontrollin qeveritar përpara zgjedhjeve."

Gjatë një interviste në programin televiziv Meet the Press, të stacionit NBC, zoti Powell u pyet nëse Iraku do të jetë gati për zhvillimin e zgjedhjeve në janar. Ai nguli këmbë se deri në atë kohë do të jetë e mundur që rebelimi të vihet nën kontroll.

"Askush nuk ka plane për të shtyrë zgjedhjet. Kryeministri irakian Iyad Allawi e ka deklaruar këtë fare qartë. Por kini parasysh se pjesa më e madhe e vendit do të jetë në gjendje të kënaqëshme para zgjedhjeve, edhe sikur ato të mbaheshin muajin tjetër," tha sekretari Powell.

Sekretari i shtetit u intervistua nga tre prej 5 stacioneve televizive të lajmeve që dominojnë programet e së dielës në mëngjes në Shtetet e Bashkuara. Për të njëjtin problem foli në dy stacionet e tjera këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për Sigurimin Kombëtar, Condoleezza Rice.

Ajo i tha programit televiziv This Week të rrjetit ABC se kryengritësit synojnë ta ndalin procesin politik në Irak, por, theksoi ajo, ata nuk do t’ja arrijnë dot qëllimit.

"Ka disa njerëz që dëshirojnë ta kthejnë Irakun në ditët e varreve masive dhe të dhomave të torturave, kur Iraku përpiqej të shtinte në dorë armë të shkatërrimit në masë dhe kërcënonte fqinjët. Kjo nuk ka për të ndodhur,"tha zonja Rice.

Gjendja në Irak është bërë një temë kryesore në fushatën presidenciale amerikane. Programet televizive të së dielës pasqyruan edhe komentet e disa prej këshilltarëve kryesorë të kandidatit demokrat për president, John Kerry.

Në programin Meet the Press, ish sekretarja e shtetit Madeleine Albright tha se gjendja në Irak është shumë më e vështirë se sa dëshiron ta pranojë administrata Bush. Ajo tha se që në Irak të mund të zhvillohen zgjedhje të përgjithshme në janar, zyrtarët e atjeshëm të OKB-së që po bëjnë përgatitje për zgjedhjet duhet që së pari të ndihen të sigurt.

"Do të ishte shumë mirë nëse ato zhvillohen në janar, por mua nuk më duket kështu sepse vetë Kombet e Bashkuara kanë thënë se do të duhen 8 muaj që zgjedhjet të përgatiten. Deri në janar nuk kanë mbetur tetë muaj,” tha zonja Albright.

Anketat e reja të opinionit tregojnë se shumë votues amerikanë aktualisht mbështesin presidentin Bush përsa i përket Irakut. Në një anketë të revistës Time, votuesit e mundshëm pyeteshin se tek cili kandidat kishin ata besim për të zgjidhur situatën në Irak. 57 përqind thanë se kishin besim tek presidenti Bush ndërsa vetëm 37 përqind u shprehën për senatorin Kerry.

XS
SM
MD
LG