Lidhje

Intensifikohet fushata presidenciale - 2004-09-14


Kandidati presidencial i partisë demokrate, senatori John Kerry bëri kritika të ashpra kundër presidentit Bush rreth çështjes së Koresë së Veriut dhe sigurisë së vendit. Presidenti nga ana e tij i mbrojti politikat e veta gjatë një turneu me autobus në shtetin Michigan.

Senatori Kerry e akuzoi administratën e presidentit Bush se ka lejuar, siç tha ai, lindjen e një ankthi bërthamor duke refuzuar të negociojë me Penianin. Në një intervistë me gazetën Nju Jork Times të dielën, senatori Kerry fajësoi presidentin se e ka përqëndruar vemendjen te Iraku duke injoruar një rrezik më të madh - atë që vjen nga Korea e Veriut si dhe nga Rusia ku edhe gjendet një numër i madh armësh bërthamore të pasiguruara mirë.

Ndërkohë në një miting i cili u mbajt për të mbështetur një vendim që ndalon shitjen e disa lloje armësh për publikun, ndalim i cili skadoi dje, senatori Kerry kritikoi ashpër presidentin Bush se nuk ka bërë mjaft për t’i hequr këto armë nga duart e terroristëve. ” Në njërin nga manualet e Al Kaidës që gjetëm në Afganistan, rekrutëve u rekomandohej që të shkonin në Shtetet e Bashkuara për të blerë armë. Gjeni armë në Amerikë.”

Senatori Kerry tha se skadimi vendimit për ndalimin e armëve automatike do të lejojë që, midis kriminelëve të tjerë, edhe terroristët të gjejnë armët që dëshirojnë.

”Tani, për herë të parë në dhjetë vjet, kur një vrasës të futet në një dyqan armësh kudoqoftë në Amerikë, kur të kërkojë të blejë një kallashnikov për shembull apo ndonjë armë tjetër automatike, shitësi do t’i përgjigjet: patjetër zotëri”, tha zoti Kerry.

Nga ana e tij Presidenti Bush bëri dje fushatë në shtetin e Michiganit ku në qendër të vëmendjes ishte sigurimi shëndetsor. Përsa i përket Koresë së Veriut, presidenti tha se ai u qendronte politikave të administratës së tij për Korenë se Veriut në kërkim të një marrëveshjeje për eliminimin e programeve bërthamore të Koresë së Veriut, përmes bisedimeve shumëpalëshe, gjë që sipas tij do t’i bënte presion udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Il.

”Në fakt tani në vend të vetëm një zëri, janë pesë zëra, përfshirë Kinën, që i thonë Kim Jong Il-it se ai duhet të çarmatoset,” tha Presidenti Bush.

Këta zëra janë Shtetet e Bashkuara, Korea e Jugut, Kina, Japonia dhe Rusia. Përfaqësues të këtyre pesë vendeve kanë zhvilluar diskutime me zyrtarë të Koresë së Veriut për zgjidhjen e krizës bërthamore me këtë vend. Ndërkohë, përsa u përket çështjeve të sigurimitg të vendit, presidenti edhe një herë theksoi se qëllimi i administratës së tij është që terroristët të asgjësohen jashtë vendit para se ata të sulmojnë brenda Shteteve të Bashkuara.

”Strategjia jonë është e qartë. Ne po e mbrojmë atdheun, po e transformojmë ushtrinë dhe po forcojmë shërbimet tona të zbulimit. Ne po qëndrojmë në ofensivë. Ne po sulmojmë terroristët jashtë vendit që të mos detyrohemi të ndeshemi me ta këtu brenda vendit.”

Anketat tregojnë se presidenti Bush kryeson ndaj rivalit të tij në çështjet e sigurisë së vendit. Por një anketë e re e agjencisë së lajmeve Associated Press tregon se 51 përqind e votuesve e kundërshtojnë mënyrën se si presidenti Bush e ka drejtuar vendin në problemet e brendshme si sigurimi shëndetësor, arsimi dhe mjedisi.

XS
SM
MD
LG