Lidhje

Zimbabve shtyp opozitën - 2004-09-18


Në Zimbabve qeveria e Robert Mugabes vazhdon t’ua vështirësojë udhëheqësve të opozitës ushtrimin e të drejtave politike. Policia në Harare arrestoi Professor Lovemore Madhuku, kryetar i Asamblesë Kushtetutore Kombëtare - një organizatë që mbron të drejtat e njeriut dhe reforma politike. Zoti Madhuku u akuzua se ka shkelur Rendin Publik të Zimbabvesë dhe Aktin e Sigurimit, kur organizoi dhe zhvilloi një demonstratë pa lejen e qeverisë. Demonstrata ishte një protestë ndaj një projekt-ligji të propozuar që do t’ua ndalonte grupeve të të drejtave të njeriut të vepronin në Zimbabve.

”Shihet qartë se kjo është thjesht shtypje”, i tha zoti Madhuku një gazetari. ”Policia më paralajmëroi në prani të avokatit tim se këto ditë mund të vritem”. Nelson Chamisa, një pjesëtar i opozitës në parlamentin e Zimbabves, ishte ndërmjet personave të tjerë që u arrestuan me sa duket për zhvillimin e një mbledhjeje në zyrën e tij.

Georgette Gagnon është nëndrejtore e Departamentit për Afrikën tek Human Rights Watch. Ajo thotë se ”një shoqëri energjike civile është thelbësore për një shoqëri funksionale. Ndërkohë që zgjedhjet presidenciale të marsit afrojnë, qeveria duhet të garantojë hapësirë për shoqërinë civile”.

Që nga fitoret e diskutueshme në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale, Fronti i Unionit Patriotik Kombëtar Afrikan i Zimbaves i zotit Mugabe, që është në pushtet, i ka mospërfillur të drejtat e njeriut, shtetin juridik dhe mirëqenien e qytetarëve. Qeveria ka mbyllur gazetat e pavarura, ka politizuar sistemin gjyqësor dhe shkatërruar ekonominë. Si rezultat, miliona zimbabvianë kanë ikur në pjesën jugore të kontinentit dhe vende të tjera të botës.

Presidenti George W. Bush thotë se çdo individi i është dhënë nga Zoti e drejta të jetojë në liri. ”Të drejtat e njeriut janë të përcaktuara në një kushtetutë. Ato mbrohen nga një shtet i paanshëm juridik. Amerika është me popujt e shtypur të botës. Ne duhet të shprehemi hapur për liri në Kubë, Kore të Veriut, Zimbabve apo Birmani. Dhe ne do ta bëjmë një gjë të tillë”.

Zimbabveja mund të fillojë të dalë nga kriza e saj, nëse zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë të lira e të ndershme. Qeveria duhet të vërë në jetë orientimet e miratuara nga vendet e Komunitetit për Zhvillim në Afikën e Jugut. Lufta për demokraci në Zimbabve nuk ka të bëjë aspak me interesa të huaja. Është fjala për shpresën në një Zimbabve të nderuar e të lirë. //az//

XS
SM
MD
LG