Lidhje

Turqia rrezikon hyrjen në Bashkimin Evropian - 2004-09-18


Komisioneri i Bashkimit Evropian për çështje të zgjerimit, Gynter Verhojgen, i bëri thirrje Turqisë të sqarojë vendimin për tërheqjen e një legjislacioni të rëndësishëm për reformimin e kodit penal të vendit.

Zoti Verhojgen i tha dje ambasadorit të Turqisë pranë Bashkimit Evropian se mosmiratimi i këtij legjislacionit deri më 6 tetor do të ketë pasoja për një raport të BE-së mbi gatishmërinë e Ankarasë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Është në plan që raporti të publikohet më 6 tetor dhe zoti Verhojgen tha se është kundër shtyrjes së publikimit të dokumentit.

Deputetët turq nuk pritet të mblidhen para 1 tetorit. Nëse parlamenti turk nuk mban ndonjë seancë urgjente, nuk ka të ngjarë që legjislacioni mbi kodin penal të miratohet para se Bashkimi Evropian të publikojë raportin e tij.

Raporti do të shërbejë si bazë për udhëheqësit e Bashkimit Evropian për të vendosur më 17 dhjetor nëse të caktojnë një datë për fillimin e bisedimeve me Turqinë për anëtarësim në organizatë.

XS
SM
MD
LG