Lidhje

CBS nuk mund të konfirmojë vërtetësinë e dokumenteve për shërbimin e Presidentit Bush në Gardën Kombëtare - 2004-09-21


Në Shtetet e Bashkuara, rrjeti televiziv CBS thotë se nuk mund ta konfirmojë autenticitetin e dokumenteve që publikoi kohët e fundit, dokumente ku vihet në pikëpyetje shërbimi i Presidentit Bush në Gardën Kombëtare gjatë Luftës së Vietnamit më shumë se 30 vjet më parë.

Presidenti Bush ishte dje në valën e fushatës zgjedhore kur rrjeti CBS bëri një deklaratë ku shprehte keqardhje që i përdori dokumentet. CBS-i tha se ishte mashtruar nga burimi që i kishte dhënë dokumentet.

Spikeri i njohur i rrjetit CBS Dan Rather, i cili raportoi rreth dokumenteve në fjalë, kërkoi gjithashtu falje me një deklaratë të veçantë. Autenticiteti i dokumenteve u vu në pikëpyetje pothuajse menjëherë pas transmetimit të kronikës në programin e lajmeve të CBS-it më 8 shtator.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan tha se Shtëpia e Bardhë e vlerëson faktin që rrjeti CBS kërkoi falje për kronikën. Por, tha ai, ende ekzistojnë pyetje që kërkojnë përgjigje dhe çështja duhet hetuar plotësisht. Ai kritikoi gjithashtu Partinë Demokrate të opozitës që sipas tij kohët e fundit po koordinon një seri sulmesh kundër Presidentit. "Është e qartë se ka patur një përpjekje të orkestruar nga demokratët dhe nga fushata e Kerry-t për të denigruar Presidentin dhe për të përdorur sulme të vjetra, të ricikluara. Pikërisht të tilla janë ato: sulme të vjetra dhe të ricikluara."

Demokratët mohojnë se kanë ndonjë lidhje me dokumentet në fjalë. Thuhet se ato kanë qenë shkruar nga njëri prej komandantëve të zotit Bush, nënkolonelit Jerry Killian, i cili ka vdekur. Në dokumente thuhet se zoti Bush nuk zbatoi urdhërin për t’ju nënshtruar analizave mjeksore ushtarake dhe u trajtua me preferencë. Një sekretare e nënkolonelit Killian tha se nuk ishte ajo që i kishte shtypur shënimet në dokumente por besonte se përmbajtja e tyre ishte e saktë. //az//

XS
SM
MD
LG