Lidhje

Organizata Freedom House botoi raportine saj vjetor mbi lirinë në Botë - 2004-09-24


Marrëveshja e vitit 2002 mes Partisë Socialiste të udhëhequr nga kryeministri Fatos Nano dhe Partisë Demokratike të udhëhequr nga Sali Berisha tregoi të ishte e dobët dhe nga fillimi i vitit 2003, marrëveshja jetëshkurtër e unitetit politik kombëtar u prish, duke kërcënuar progresin për t’ju bashkuar Bashkimit Evropian, thuhet në raportin e organizatës Freedom House. Shenjë tjetër negative e qëndrueshmërisë politike ishte edhe dorëheqja e ministrit të jashtëm të vendit, Ilir Meta, një kundërshtar i fortë i Fatos Nanos.

Lufta në gjirin e partisë në pushtet u bë shkak që posti i ministrit të jashtëm të mbetej i hapur për pjesën tjetër të vitit, të pengohej reforma ekonomike, si dhe lufta kundër krimit të organizuar. Megjithëse Bashkimi Evropian filloi negociatat me Shqipërinë për marëveshjen e Asocim-Stabilizimit, thuhet në raport, hapi i parë ky drejt anëtarësomit të plotë në Bashkimin Evropian, analizat e gjendjes në vend treguan se ajo ishte larg plotësimit të kushteve të nevojshme.

Raporti i organizatës Freedom House vë në dukje se shoqëria shqiptare mbetet një shoqëri klanore. Liria e shtypit është përmirësuar që nga rënia e komunizmit, por akoma vazhdojnë kërcënime ndaj gazetarëve. Raporti thekson dhunën e përdorur nga ish ministri i rendit Luan Rama ndaj një gazetari, gjë që çoi edhe në shkarkimin e tij. Ndërkohë që Shqipëria është model për rajonin për sa i përket mardhënieve ndërfetare, thuhet në raport, në veri të vendit është vënë re rivalitet mes sekteve myslimane si dhe ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve.

Ndërkohë roli i sistemit të drejtësisë dhe entet e ruajtejs së rendit, thuhet në raportin e organizatës Freedom House, mbetet pa rendiment dhe i hapur ndaj korrupsionit. Një anketë e kohëve të fundit e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar rezultoi se Shqipëria ishte vendi më i korruptuar në rajon.

Zyrtarët ndërkombëtarë të rendit, vazhdon më tej raporti, thonë se Shqipëria është bërë pikë e rëndësishme e trasportimit të lëndëve narkotike. Dobësia e institucioneve në veri të vendit ka rezultuar në marrjen në dorë të drejtësisë nga grupe fisnore dhe kryesisht kjo është vënë re tek gjakmarrjet ndërmjet familjeve. Rreth 2 mijë fëmijë mbeten të ngujuar si rezultat i gjakmarrjes.

Ndërkohë që roli i gruas në politikë dhe shoqëri mbrohet me ligj, gratë nuk janë aspak të përfaqësuara siç duhet në instituciont qeveritare, thekson raporti. Trafikimi i grave dhe vajzave mbetet një problem serioz. Sipas disa përllogaritjeve Shqipëria përbën rreth 50 përqind të grave të trafikuara në Evropën Juglindore, dhe rreth 30 mijë gra shqiptare ose 1 përqind e popullsisë së vendit punojnë si prostituta në Evropën Perëndimore.

Raporti i Freedom House citon se e ardhmja e Serbisë dhe Malit të Zi mbetet akoma e paqartë. Një sfidë e rëndësishme konstitucionale dhe politike me të cilën ballafaqohet Serbia dhe Mali i Zi është edhe plotësimi i kërkesave në rritje të rajoneve të banuara nga pakica të mëdha etnike si Kosova, Sanxhaku dhe Vojvodina. Ka njoftime të vazhdueshme për keqtrajtim të komunitetit roma. Disa qytete të Serbisë jugore janë bërë pjesë e trafikimit të femrave nga ish vendet e Bashkimit Sovjetik për në Evropën Perëndimore me synim prostuticionin.

Për Maqedoninë, organizata Freedom House, thotë se më së fundi parlamenti i vendit ra dakord për legalizimin e universitetit të debatueshëm në gjuhën shqipe të Tetovës. Ndryshim i rëndësishëm në kushtetutën e vendit ishte edhe përdorimi më i gjerë i shqipes si gjuhë zyrtare dhe rritja e numrit të shqiptarëve në institucionet civile. Komuniteti ndërkombëtar ka vepruar në mënyra të ndryshme për të përkrahur egzistencën e rrezikuar të Maqedonisë. Më e rëndësishmja ishte ajo e prillit të vitit 2002 kur Bashkimi Evropian nëshkroi aktin e Asocim-Stabilizimit. Përsa i përket shtypit, thuhet në raportin e organizatës Freedom House, atij i mungon profesionalizmi. Sistemi gjyqësor kritikohet për mosbalancim etnik të gjykatësve dhe prokurorëve. Aktualisht 85 përqind e vendeve të punës në qeveri mbahen nga maqedonasit dhe vetëm 11 përqind nga shqiptarët. Përllogaritjet e fundit në Maqedoni tregojnë se popullata shqiptare ka shënuar një rritje prej 68 mijë në dhjetë vjeçarin e fundit përkundrejt maqedonasve me vetëm 2 mijë, thuhet në raportin Freedom House.

XS
SM
MD
LG