Lidhje

ShBA: zgjedhjet presidenciale,  akuza për Irakun - 2004-09-24


Kandidati demokrat për president Xhon Kerri tha se Presidenti Bush i dha përparësi kryesore Sadam Huseinit; ndërsa po të zgjidhej, ai do të bënte Osama bin Ladenin përparësinë e tij kryesore në luftën kundër terrorizmit.

Në një fjalim me tone shumë kritike në Universitetin Temple, në Filadelfia, zoti Kerry parashtroi strategjinë e tij për luftën kundër terrorizmit. Ai tha se në vend që të përfundonte punën e nisur në Afganistan, Presidenti Bush u nxitua, duke filluar luftën në Irak.

Senatori Kerry po ashtu tha se zyra e CIA-s e ngarkuar me gjetjen e Osama Bin Ladenit, ka tani më pak njerëz, se sa kishte madje para 11 shtatorit dhe shtoi se ai do ta ndryshonte këtë gjendje po të zgjidhej.

Presidenti Bush thotë se lufta në Irak është beteja qendrore në luftën kundër terrorizmit.

Presidenti Bush shkon në fundjavë në fermën e tij në Teksas për t’u përgatitur për debatin e parë televiziv me zotin Kerri, që do të zhvillohet të hënën e ardhshme.

XS
SM
MD
LG