Lidhje

Tiranë: Nervozizëm në qarqet politike në lidhje me reformën zgjedhore - 2004-09-25


Forcat kryesore politike e kanë përqëndruar vëmendjen e tyre vetëm në debatet mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndonëse një mori çështjesh të tjera për rregullimin e procesit zgjedhor janë në pritje në kalendarin e punës së komisionit dypalësh për reformën zgjedhore. Demokratët e opozitës e çojnë deri në maksimum interesin për balancimin partiak të KQZ-së duke e paraqitur këtë gati si një parakusht të detyrueshëm për ecurinë e reformës. Ndërsa socialistët e bëjnë pothuajse të paqenë temën e KQZ.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, thotë se kriza e KQZ-së mund të zgjidhet thjesht me një dorëheqje të një prej anëtarëve të tij, ndërsa Gramoz Ruçi, një përfaqësues i lartë i PS-së, thotë se KQZ-ja nuk figuron në listën e rekomandimeve të vëzhguesve ndërkombëtarë pas zgjedhjeve të fundit, ndaj edhe ajo nuk ka pse të jetë në agjendën e bisedimeve me opozitën. Ai nuk shfaqi ndonjë qëndrim të ri për këtë temë as pas takimit që zhvilloi me Presidentin Alfred Moisiu, ndërsa pas takimit trepalësh PS - PD - OSBE, zoti Ruçi tha thjesht se aty u ra dakord që komisioni dypalësh të rifillojë nga puna. Por të nesërmen e këtij takimi, anëtarët e opozitës nuk u paraqitën në mbledhjen e radhës së komisiont dypalësh me shpjegimin se aty nuk po diskutohej për ndryshimin e KQZ-së.

Socialistët kanë lënë të kuptohet se mungesa e gjatë e deputetëve të opozitës në komisionin dypalësh, jo vetëm do të jetë një humbje e madhe kohe e vlefshme për reformën, por ajo do ta zhyste komisionin drejt një dështimi të plotë. Veç KQZ-së që kërkohet me këmbëngulje nga opozita, një mori detajesh të tjera, që ekspertët mendojnë të ndryshohen, janë edhe listat difektoze të votuesve, procedurat ligjore të ndërtimit të komisioneve më të ulta zgjedhore, hollësira rreth procesit të votimit dhe numërimit të votave, të cilat do të shmangin parregullsitë dhe manipulimet e vërejtura në zgjedhjet e kaluara nga vëzhguesit e huaj.

Sikur të mos mjaftonin mosmarrëveshjet e dy partive të mëdha, situatës nervoze që rrethon reformën zgjedhore ju shtuan edhe pretendimet e partive të vogla, të cilat duan të heqin veton që gëzojnë dy partitë e mëdha në komisionin dypalësh për reformën zgjedhore.

Zgjedhjet e ardhshme janë vlerësuar nga institucionet perëndimore si tepër të rëndësishme për mbarëvajtjen e demokracisë shqiptare dhe ecurinë e negociatave për integrim që Tirana po zhvillon me Bashkimin Evropian. Analistët politikë vërejnë se këto janë paralajmërimet më serioze që klasa politike e Shqipërisë ka marrë për zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta, dhe si një testim që do të masë shkallën e pjekurisë së demokracisë shqiptare. //az//

XS
SM
MD
LG