Lidhje

Ambasadori i OSBE-së thotë se grupi i ri i ekspertëve për reformën zgjedhore nuk do të shkojë në Tiranë - 2004-09-28


Ambasadori i Osbe-së Osmo Lipponen tha sot se ardhja e një grupi të ri ekspertësh nga Odihr për reformën zgjedhore, i kërkuar nga kryeministri Nano nuk do të mund të realizohet. Ambasadori Lipponen e lidhi këtë me arsye teknike, por në të njëjtën kohë deklaroi se ekspertët që kanë punuar deri tani, janë të një niveli shumë të lartë dhe të njohur në shkallë ndërkombëtare. Ambasadori i Osbe-së në ditën e fundit të misionit të tij në Shqipëri theksoi se çështja e reformës zgjedhore është çështje e vullnetit politik të partive shqiptare për të zhvilluar zgjedhje demokratike.

Ndërsa puna e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore hyri në krizë për shkak të mosmarrëveshjeve të hapura mes socialistëve dhe demokratëve për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kryeministri Nano i kërkoi Odihr-it, zyrës së Osbe-së për të Drejtat e Njeriut dërgimin në Shqipëri të një grupi ekspertësh. Kryeministri, njëkohësisht dhe shefi i shumicës së majtë garantonte se do të pranonte çdo përfundim apo zgjidhje që do të ofrohej nga këta ekspertë. Kërkesa e zotit Nano u duk qartë se ishte shprehje e pakënaqësisë nga puna e ekspertëve që kanë punuar deri më tani të drejtuar nga prania e Osbe-së në Tiranë. Ajo ishte gjithashtu një shenjë tjetër e mosbesimit ndaj kreut të Osbe-së, Osmo Lipponen, përplasjet me të cilin nuk kanë qenë të pakta.

Por duket se përpjekja e kryeministrit Nano ka dështuar. Të paktën kjo ishte ajo ç’ka deklaroi sot ambasadori i Osbe-së, Osmo Lipponen, sipas të cilit Odihr aktualisht është në vështirësi për shkak se grupe të tij janë shpërndarë në shumë vende: "Javën e shkuar diskutova në Helsinki me ambasadorin Strohel, drejtorin e Odihr, mbi letrën dhe veçanërisht mbi bashkëpunimin dhe ekspertizën. Ne i kemi drejtuar një mesazh të përbashkët kryetarëve të komisionit parlamentar i cili në thelb është ajo që kemi thënë Ne punojmë së bashku si deri më tani, me Odihr", deklaroi ambasadori Lipponen duke vënë në dukje se juristët, që po punojnë aktualisht në grupin e ekspertëve "janë jashtëzakonisht kompetentë dhe njihen në shkallë ndërkombëtare, gjithashtu dhe nga Odihr". Madje ai nuk hezitoi të saktësonte se kjo ishte më shumë se ajo çfarë kërkonte qeveria shqiptare.

Një ditë më parë, kundër kërkesës së kryeministrit Nano, kishte dalë edhe kryetari i Partisë Demokratike. Sipas zotit Berisha besueshmëria e ekspertëve të thirrur në baza partiake është e kompromentuar.

Në ditën e fundit të misionit të tij në Shqipëri, ambasadori Lipponen është shprehur i shqetësuar për ecurinë e reformës zgjedhore dhe rëndësinë që ka kryerja e zgjedhjeve sipas standarteve ndërkombëtare. “Me afrimin e shpejtë të zgjedhjeve, këmbana paralajmëruese ka rënë tashmë, pikërisht nga Bashkimi Evropian në deklaratëne e tij të fundit tha ambasadori Lipponen: "Por çështja e reformës zgjedhore nuk qëndron në të vërtetë te propozimet ligjore apo teknike që bëhen. Në të vërtetë kjo është një çështje e vullnetit politik të politikanëve të Shqipërisë për të zhvilluar zgjedhje demokratike sipas standarteve ndërkombëtare", u shpreh kreu i Osbe-së.

Pasnesër ambasadori Lipponen do të mbajë një raport në Vjenë, përpara Këshillit të Përhershëm të Osbe-së, mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri. //az//

XS
SM
MD
LG