Lidhje

Nënsekretari amerikan i shtetit Grosman viziton Kosovën - 2004-09-30


Nënsekretari amerikan i Shtetit për cështje politike, Mark Grossman, theksoi sonte në Prishtinë, se komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të mbështesë popullin e Kosovës, për ndërtimin e një shoqërie shumëetnike. Zoti Grossman, i cili i bëri komente pas takimeve të tij me udhëheqësit ndërkombëtarë të Kosovës, udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike dhe përfaqësuesit e pakicave, përfshi përfaqësuesit e pakicës serbe, tha se duhet të bëhet më shumë për rindërtimin e objekteve të kulti, një pjesë e të cilave u shkatërruan apo u dëmtuan gjatë trazirave të marsit.

” Kosova që ne kërkojmë është një Kosovë në të cilën, të gjithë, pavarësisht nga përkatësia etnike, rraca apo feja, janë të lirë të jetojnë, të punojnë, dhe të udhëtojnë pa frikë, armiqësi, apo rrezik dhe në të cilën ka tolerancë, drejtësi dhe paqe për gjithëkënd.”- tha zoti Grossman.

Zoti Grossman, i cili erdhi në Prishtinë nga Beogradi ku ishte takuar me udhëheqësit e serbë, tha se qoftë në Prishtinë, qoftë në Beograd, I ka inkurajuar serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 tetorit në Kosovë. Ai shprehu shpresën se serbët do të marrin vendim pozitiv për të marrë pjesë në zgjedhje.

”Ajo që thashë sot në Beograd dhe në Prishtinë, është se pjesëmarrja do të lejojë më shumë ndikim në ditën pas zgjedhjeve dhe ditën tjetër pas saj. Serbët e Kosovës duhet të marrin vendimin e tyre për atë që duan të bëjnë.”-tha ai.

Në lidhje me diskutimet për reformën e pushtetit vendor në Kosovë, zoti Grossman, nënvizoi se decentralizimi i pushtetit është për gjithkënd në Kosovë, jo vetëm për serbët.

XS
SM
MD
LG