Lidhje

Miami: Zhvillohet debati i parë presidencial - 2004-10-01


Në të parin nga të tre debatet presidenciale, Presidenti Bush dhe kundërshtari i tij demokrat, Senatori John Kerry, u përqendruan në çështje të politikës së jashtme. Dhe në këtë kontekst, çështjet kryesore ishin Iraku dhe lufta kundër terrorizmit.

Senator Kerry e sulmoi pa humbur kohë presidentin Bush dhe tha se vendimet e tij në lidhje me Irakun kanë çuar në një rrugë pa krye dhe i kanë bërë Shtetet e Bashkuara më të pambrojtura ndaj sulmeve terroriste. ”Besoj se Amerika është më e sigurtë dhe e fortë, kur ne jemi në udhëheqje dhe udhëheqim aleanca të fuqishme. Unë kurrë nuk do t’ia lë në dorë një vendi tjetër të vendosë për sigurinë e Amerikës, por unë gjithashtu di se si të udhëheq aleanca dhe Presidenti Bush i ka shkatërruar ato. Tani Shtetet e Bashkuara janë ato që humbin 90 për qind të ushtarëve të vrarë në Irak dhe paguajnë 90 për qind të kostos së luftës. Mendoj se kjo është e gabuar dhe unë mund të udhëheq më mirë. Kam një plan më të mirë për luftën kundër terrorizmit dhe për sigurimin kombëtar duke forcuar ushtrinë dhe zbulimin; duke u marrë me aspektin financiar më me autoritet dhe duke bërë atë që ne duhet të bëjmë për të rikrijuar aleancat; duke shtrirë dorën e bashkëpunimit botës myslimane, gjë të cilën Presidenti Bush thuajse nuk e ka bërë fare, dhe duke izoluar radikalët islamikë, pa i lejuar ata të izolojnë Amerikën”.

Presidenti Bush, planeve të Senator Kerry-t për përfshirjen e më shumë aleatëve në Irak, iu përgjigj duke përqeshur kritikat e kundërshtarit në lidhje me vendimin e tij për ndërhyrje në Irak. ”Senator Kerry thotë se në themel të planit për të patur sukses në Irak është thirrja drejtuar vendeve të tjera për të kontribuar. Pra, cili do të jetë mesazhi? Ju lutemi, bashkohuni me ne për një ndryshim madhor kursi! Bashkohuni me ne për një luftë të gabuar, që zhvillohet në një vend të gabuar dhe në kohë të papërshtatshme. Unë e di se si mendojnë këta njerëz. Kam të bëj me ta vazhdimisht. Unë ulem e bisedoj vazhdimisht me udhëheqës nga bota apo flas shpesh m eta në telefon. Ata nuk do të shkojnë pas askujt që shprehet se kjo është luftë e gabuar në vend të gabuar e kohë të gabuar. Ata nuk do të ndjekin një person, bindjet qenësore të të cilit ndryshojnë vazhdimisht si të fryjnë erërat politike në Amerikë”.

Kur u pyetë në lidhje me afatet për t’i dhënë fund angazhimit amerikan në Irak, zoti Kerry tha se, sipas planit të tij, trupat mund të fillonin të ktheheshin pas gjashtë muajsh. Ai tha se për të patur sukses në Irak, duhen mbyllur kufinjtë, duhen stërvitur trupat vendase dhe krijuar aleanca.

Presidenti Bush tha se administrata e tij po e përmbushë misionin e saj në Irak dhe se 100 mijë forca irakiane janë stërvitur tashmë.

Senator Kerry akuzoi Presidentin Bush për sabotim të sigurimit kombëtar për të lehtësuar taksat e të pasurve. Ai premtoi të shpejtojë përpjekjet për të garantuar materialet bërthamore që rrezikojnë të bien në duart e terroristëve.

Presidenti Bush tha se zoti Kerry nuk do të jetë në gjendje të mbajë premtimet dhe përsëriti se rruga më e mirë për ta bërë Amerikën të sigurtë është të qendrojë në mësymje në luftën kundër terrorizmit.

Para debatit që u zhvillua në Miami të Floridës, pritej që ai të ndiqej prej rreth 50 milionë shikuesve në mbarë Amerikën.

Objektivi i të dy kandidatëve ishte tërheqja e votuesve të pavendosur.

Ndërkohë, kur nuk kanë mbetur vetëm 33 ditë për të votuar, shumica e anketave të opinionit publik tregojnë se Presidenti Bush ka epërsi ndaj Senatorit Kerri me 3 deri në 5 për qind. //az//

XS
SM
MD
LG