Lidhje

Debati i parë presidencial ende nuk ka prekur epërsinë e presidentit Bush në anketa - 2004-10-02


Debati i parë presidencial u prit me reagime të ndryshme. Përkrahësit e të dyja palëve, si të presidentit Bush edhe të senatorit Xhon Keri pretendojnë për fitore.

Që nga momenti që përfundoi debati përkrahësit e presidentit Bush dhe senatorit Xhon Keri thanë se kandidati i tyre fitoi. Si presidenti edhe zoti Keri mbajtën fjalime për të entuziazmuar përkrahësit e tyre.

“Mua më pëlqeu debati pasi fola për ato që besoj. Nuk është e vështirë të debatosh kur e di se ke qëllime të mira,” tha presidenti.

“A e ndoqët debatin? Ju pëlqeu? Ai do të na çojë përpara prandaj ja vlente,” tha zoti Keri.

Do të duhen ndoshta disa ditë për të parë se si votuesit amerikanë do të reagojnë ndaj debatit i cili u përqëndrua në luftën në Irak. Njoftimet e para tregojnë se shumica e amerikanëve mendojnë se senatori Keri u prezantua më mirë se sa presidenti Bush.

Senatori Bill Nelson nga Florida, përkrahës i zotit Kerry, tha se kandidati demokrat u shpreh qartë për t’u treguar votuesve se mund të bëhet president.

“Ai ishte i qartë, bindës, i vendosur dhe plot energji. Mendoj se ai ishte në kontrast të thellë me presidentin,” tha senatori Nelson.

Por shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Andru Kard tha se zoti Bush u tregoi votuesve pikëpamjet e tij me një frymë pozitive.

“Presidenti demonstroi vendosmërinë që ka për të parë fitoren megjithëse e di që do të jetë e vështirë, por ai tha se do të qëndrojë përkrah trupave tona dhe do të na sigurojë ne dhe Amerikën,” tha zoti Kard.

Analistët politikë si komentatori i rrjetit televiziv ABC, Xhorxh Stefanopulos thanë se megjithëse as presidenti Bush e as senatori Keri nuk shënuan ndonjë fitore madhore në këtë debat, Xhon Keri mund të marrë një mbështetje më të madhe nga prezantimi i tij. “Çdo anketë që kam parë deri tani nxjerr Xhon Kerin si fitues. Ajo që është interesante është fakti se debati nuk ka ndryshuar ende numrin e përkrahësve. Të gjithë vazhdojnë të mbështesin kandidatin e tyre, presidenti Bush kryeson me 4 apo 5 përqind por Xhon Keri përmirësoi të gjitha cilësitë personale,” tha zoti Stefanopulos.

Këshilltarët e zotit Keri shpresojnë se prezantimi i senatorit do të jetë i mjaftueshëm për të ngushtuar epërsinë e vazhdueshme të presidentit Bush në anketat e opinionit publik dhe në shtetet e rëndësishme elektorale.

Tani kandidatët janë përsëri në fushatë në kërkim të votuesve të pavendosur. Ata do të shpenzojnë gjithashtu kohë të përgatiten këtë javë për debatin e ardhshëm më 8 tetor i cili do të përqëndrohet në çështje të politikave të jashtme e të brendëshme. Vetëm pak çështje të politikës së jashtme u diskutuan në debatin e parë pasi drejtuesi i tij vendosi mbi çështje që do të diskutonin kandidatët.

XS
SM
MD
LG