Lidhje

Vdiq në moshën 76 vjeçare dom Prenk Ndrevashaj - 2004-10-02


Të premten, më 1 tetor, vdiq në Shkodër në moshën 76 vjeçare dom Prenk Ndrevashaj. Ai ishte kthyer në vendlindjen e tij 10 ditë më parë, pas një mërgimi të gjatë në Shtetet e Bashkuara.

Prenk Ndrevashaj lindi në Brash të Dukagjinit më 4 qershor të vitit 1928. Mësimet e para i kreu nën kujdesin e meshtarit të njohur gjerman, Alfred Stracki, i cili u vra nga komunistët pas Luftës së Dytë Botërore. Mësimet e mesme i ndoqi në seminarin e Jezuitëve në Shkodër. Kurse studimet e larta në filozofi dhe teologji i kreu në Romë, ku në vitin 1961 u shugurua meshtar.

Kur iku nga Shqipëria, ai u vendos në Guci ku ndihmoi në hapjen e shkollës së parë fillore shqipe në atë zonë. Rreth vitit 1970, Dom Ndrevashaj emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku shërbeu si meshtar në dy kisha. Në vitin 1976, ai themeloi Kishën Zonja Pajtore Shqiptare ku shërbeu si meshtar deri sa doli në pension.

I gjithë komuniteti shqiptar i Amerikës dhe udhëheqësit e tij fetarë, mes të cilëve Imam Vehbi Ismaili, At Arthur Liolini, dom Ndue Gjergji dhe dom Pjetër Popaj, e pritën me hidhërim lajmin e vdekjes së dom Prenk Ndrevashajt. Klerike, besimtarë dhe qytetarë të Shkodrës i bënë të shtunën nderimet e rastit të ndjerit dom Ndrevashajt, trupi i të cilit është vendosur në shtëpinë e të afërmve të tij, në periferi të qytetit Shkodër. Ceremonia e varrimit të dom Prenk Ndrevashajt do të zhvillohet të dielën dhe në të pritet të marrin pjesë edhe shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

XS
SM
MD
LG