Lidhje

Irak: sulme të ekstremistëve trondisin Bagdatin - 2004-10-10


Shpërthime vdekjeprurëse tronditën kryeqytetin e Irakut. Zyrtarë irakianë thanë se të paktën 17 veta humbën jetën sot nga shpërthimi i një makine bombë afër një akademie të policisë dhe ministrisë së naftës në pjesën veri-lindore të Bagdadit. Ata thanë se nuk kanë përcaktuar ende nëse shpërthimi u shkaktua nga një sulm me makinë bombë apo me raketë. Më vonë, një person hodhi në erë një makinë, duke vrarë edhe veten, afër ministrisë irakiane të kulturës në qendër të Bagdatit. Nga shpërthimi u vra një ushtar amerikan.

Ndërkohë, udhëheqës të qeverisë irakiane dhe të grupeve fisnore nga Falluxhah njoftuan se u arrit përparim në bisedimet, që synojnë futjen nën kontrollin e shtetit të këtij qyteti, që aktualisht kontrollohet nga kryengritësit. Zyrtarë të qeverisë irakiane thanë se të dyja palët ishin pranë arritjes së një marrëveshjeje, por hollësitë nuk ishin të disponueshme. Kryengritësit kanë thënë se kundërshtojnë hyrjen e forcave amerikane në këtë qytet.

Ndërkaq, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, tha se Shtetet e Bashkuara përballen me një provë vullneti, siç u shpreh ai, me kryengritësit në Irak. Gjatë një vizite të panjoftuar më parë në Irak, sekretari Rumsfeld u takua me marinsat që luftojnë në provincën Al-Anbar, ku ushtria amerikane njoftoi se një ushtar amerikan u vra të shtunën.

Zoti Ramsfeld u tha marinsave se ekstremistët në Irak po luftojnë kundër moralit të amerikanëve dhe po përpiqen të kontrollojnë mendimet rreth konfliktit. Sekretari amerikan i mbrojtjes tha se nuk parashikon që nivelet e trupave amerikane në Irak mund të uleshin para janarit, por ai shfaqi shpresën që eventualisht pesha mbi trupat amerikane do të lehtësohet nga forcat irakiane të sigurimit të sapo stërvitura.

Më pas, zoti Ramsfeld shkoi në Bagdad për t’u takuar me ushëheqës të lartë amerikanë dhe irakianë, përfshirë edhe kryeministrin irakian, Ijad Allaui. Të hënën, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld do të qëndroj në Maqedoni, me ftesë të autoriteteve shtetërore maqedonase. Ai do të takohet me zyrtarët më të lartë të vendit.

XS
SM
MD
LG