Lidhje

Sekretari Rumsfeld nxit Maqedoninë të vazhdojë në rrugën e reformave - 2004-10-11


Sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld falënderoi Maqedoninë për mbështetjen që i ka dhënë fushatës së Shteteve të Bashkuara në Irak dhe e vlerësoi vendin ballkanik për reformat e vazhdueshme demokratike dhe të mbrojtjes.

Zoti Rumsfeld ishte në Maqedoni sot në mëngjes, në një ndalesë të shkurtër mes vizitës së tij të djeshme të trupave të koalicionit në Irak dhe një udhëtimi për në Rumani ku do të takohet me presidentin Ion Iliescu dhe pastaj takimin e së mërkurës me ministrat e mbrojtjes së NATO-s.

Zoti Rumsfeld mori pjesë në dhënien e medaljeve të trimërisë disa ushtarëve të Maqedonisë që kishin shërbyer në Irak, duke i falënderuar ata për trimërinë e treguar. Maqedonia ka dërguar rreth 30 ushtarë në Irak.

Në komentet e tij, zoti Rumsfeld i bëri thirrje popullit të Maqedonisë për të mbështetur reformat e fundit në vend, për të cilat tha se do ta ndihmojnë Maqedoninë të fitojë anëtarësinë në NATO.

Pas vizitës në Maqedoni, sekretari Rumsfeld, shkoi në Rumani për një takim me Presidentin Ion Iliesku dhe për të vizituar një bazë të aviacionit në Detin e Zi, që mund të përdoret në të ardhmen për dislokimin e trupave amerikane në Evropë.

Të martën zoti Rumsfeld do të shkojë në Bukuresht për takimin me zotin Iliesku, Kryeministrin Adrian Nastase dhe me ministrin rumun të Mbrojtjes.

Nga fundi i javës, zoti Rumsfeld do të marrë pjesë në një takim të NATO-s që to të mbahet në Rumani, ku ai pritet të kërkojë më shumë mbështetje nga aleatët për operacionet në Afganistan dhe në Irak.

XS
SM
MD
LG