Lidhje

Debati i fundit presidencial, vendimtari - 2004-10-13


Gati dy javë më parë, presidenti republikan George Bush zhvilloi debatin e parë me senatorin demokrat John Kerry ndërsa kryesonte në anketat e opinionit publik. Por gara presidenciale është ngushtua që atëherë pas dy debateve që u ndoqën nga dhjetra miliona njerëz.

Më shumë se 60 milion njerëz panë përballjen e parë midis presidentit Bush dhe John Kerrit në Miami. Një pjesë e tyre, pyetur në anketime thanë se zoti Kerry ishte fitues.

Senatori demokratik ngriti dyshime mbi gjykimin e presidentit Bush për të shkuar në luftë me Irakun. Shumë analistë thanë se zoti Bush dukej në pozicion mbrojtës dhe i nervozuar.

"Ai sapo tha se armiku na sulmoi. Sadam Huseini nuk na sulmoi. Osama bin Ladeni na sulmoi. Al Qaida na sulmoi", tha senatori Kerry. "E di që Osama bin Ladeni na sulmoi, këtë e di" u përgjigj presidenti Bush.

Anketat e opinionit publik tregojnë se shumë shikues kishin mendimin se presidenti ripërsëriti veten shumë herë kur foli për luftën në Irak. "Është punë e vështirë. Të gjithë e dinë që është e vështirë", tha presidenti.

Por analistët dhe shikuesit pohojnë se zoti Bush fitoi pikë në debatin e dytë në Saint Louis, i ndërtuar me stilin e forumeve që i lejoi kandidatët tu përgjigjeshin pyetjeve nga audienca me votues të pavendosur.

Përsëri zoti Bush e akuzoi zotin Kerri për ndryshime të vazhdueshme të mendimit të tij dhe për dobësi për luftën kundët terrorizmit. "Nuk e di si mund ta udhëheqë ai vendin në një kohë lufte, në një kohë pasigurie, në se ndryshon mendim nga presioni i politikës", tha presidenti Bush.

Zoti Kerri vazhdimish u kundërpërgjigj duke e akuzuar fushatën e zotit Bush si jo të drejtë pasi sulmonte karakterin e tij dhe përpiqej të frikësonte votuesit. Ai citoi raportin e ri të kryeinspektorit amerikan të armëve i cili arrin në përfundimin se Iraku nuk zotëronte armë të shkatërrimit në masë kur filloi lufta. "Presindenti nuk gjeti armë të shkatërrimit në masë në Irak kështu që e ka kthyer fushatën në armë të mashtrimit në masë", tha senatori Kerry.

Për çështjet e brendëshme, zoti Bush në mënyrë të përsëritur e portretizoi zotin Kerri si një liberal i cili kërkon të rrisë taksat e klasës së mesme për të paguar për programet e mëdha qeveritare. "Mund të vraposh por jo të fshihesh. Ai votoi 98 herë për të rritur taksat, këto nuk i kam trilluar unë", tha presidenti Bush.

Zoti Kerry fajësoi presidentin për deficitin e lartë dhe shkurtimin e taksave për të pasurit. I pyetur nga një votues në se premtonte të mos rriste taksat për familjet që kanë më pak se 200 mijë të ardhura në vit, zoti Kerry përsëriti. "Po, e them para kameras. Nuk do të rrisë taksat, por do ti shkurtojë", tha senatori Kerry.

Para debatit të sotëm në Tempe të Arizonës zoti Bush udhëheq në disa anketa kurse zoti Kerry në disa të tjera. Me garën kaq të ngushtuar, debati i fundit mund të jetë përcaktues.

XS
SM
MD
LG