Lidhje

Fillon takimi dy-ditor i NATO-s - 2004-10-13


Para fillimit të takimit, zyrtarët amerikanë i bënë thirrje Natos, të hartonte një plan deri në shkurt për të marrë përsipër komandën e misionit të udhëhequr nga amerikanët në Afganistan. Ky mision i ri do t’i shtohej operacioneve paqeruajtëse që aleanca e NAtos po kryen tashmë në Afganistan.

Natoja ka rreth 9 mijë trupa në Afganistan. Pas një vonese të gjatë për të siguruar trupat dhe pajisjet, forcat paqeruajtëse e kanë zgjeruar misionin përtej Kabulit, duke u vendosur edhe në rajonet në veri ku po ndihmojnë me proceset e krijimit të institucioneve. Aleanca po ashtu synon të shtrihet edhe në rajonet perëndimore.

Forcat amerikane, dy herë më të shumta në numër se ato të Natos, po synojnë të qetësojnë gjendjen në rajonet juglindore të Afganistanit, ku mbeturina të regjimit taleban dhe të Al-Kaidës ende vazhdojnë të luftojnë.

Nëse Nato do të merte përsipër këto operacione, kjo do të lehtësonte disi ngarkesën e forcave amerikane që po luftojnë kundër kryengritësve në Irak. Por Gjermania, trupat e së cilës përbëjnë një të katërtën e forcave të Natos në Afganistan, ka kundërshtuar ndaj bashkimit të operacioneve paqeruajtëse në veri të Afganistanit me operacionet luftarake në jug.

Në bazë të kushtetutës së Gjermanisë, përfshirja e trupave në operacione luftarake duhet të miratohet nga parlamenti i vendit; dhe zyrtarët gjermanë thonë se një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë. Por zyrtarët e Natos shpresojnë të arrijnë një kompromis. Ata sugjerojnë krijimin e një force të bashkuar nën një komandë, por të ndarë në dy operacione të ndryshme, njera me vepërimet luftarake dhe tjetra me operacionet paqeruajtëse që aktualisht kryhen nga Natoja.

Çështja kryesore në rendin e ditës të hapjes së sesionit ishte se si të angazhohet Aleanca të angazhojë më shumë trupa dhe pajisje për operacionet e saj ndërsa ajo po përpiqet të gjejë një rol të ri për veten pas sulmeve të 11 shtatorit.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jaap de Hoop Shefer dëshiron që vendet evropiane të modernizojnë ushtritë e tyre të vjetëruara në mënyrë që të jenë në gjendje të dërgojnë më shumë trupa me misione në vende të tjera. “Suksesi do të jetë më i vështirë me mënyrën e tanishme të dërgimit të forcave për operacione me misione që zakonisht, në mënyrë të pashmangshme, qëndrojnë për periudha të gjata. Ne duhet të bëjmë më shumë për të krijuar një lidhje më të mirë mes angazhimit tonë politik dhe operacioneve e përgjegjësive që marrim përsipër.”- tha zoti Shefer.

Gjenerali James Jones, Komandanti Suprem i Aleancës, tha se vendet anëtare duhet të respektojnë angazhimet që marrin. “Ne duhet t’i lidhim më mirë vendimet politike me misionin që zbatojmë dhe me koston që shoqëron vendime të tilla që vendet anëtare ta kuptojnë se në se pranojnë diçka, atëhere me të drejtë ne presim që ta mbështesin edhe nismën edhe me burime, trupa dhe pajisje.”- tha ai.

Nato njoftoi se forca e saj e re e ndërhyrjes së shpejtë ka tashmë aftësinë për operacione fillestare. Synimi i kësaj force është të reagojë në kohë krizash në botë brenda 5 ditësh.// lk //

XS
SM
MD
LG