Lidhje

Gjendje e vështirë e ekonomisë së Kosovës - 2004-10-14


Pesë vjet pasi aleanca e Natos detyroi forcat serbe të largoheshin nga Kosova, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe shtimi i numrit të të papunëve janë një shqetësim gjithnjë e më i madh për politikanët vendas dhe zyrtarët e UNMIK-ut.

Në vitin 1999 vendet dhuruese me shpejtësi iu përgjigjën nevojave për ndihma të 2 milionë banorëve të Kosovës, shumë prej të cilëve ishin në gjendje të mjerë pas 10 vjet konfliktesh. Rreth 2 miliardë dollarë shkuan në Kosovë në vitin 2000.

Por ndërsa vëmendja e komunitetit ndërkombëtar u zhvendos në rajone të tjera, si Afganistani e Iraku, ndihma për Kosovën ka rënë në 250 milionë, sa ç’është parashikimi për këtë vit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se rreth 35 deri 55 përqind e banorëve të Kosovës janë të papunë. Dhe duke patur popullsinë më të re të Evropës, mijëra persona i shtohen çdo vit këtyre radhëve.

Rritja ekonomike që arriti në 10 përqind në vitin 2000 ka rënë tani në 4 përqind. Shumica e saj vjen nga paratë e shpenzuara nga paqeruajtësit e Natos, nga dërgesat e imigrantëve që punojnë jashtë vendit dhe nga ndihmat e huaja.

Gjendja e vështirë ekonomike e Kosovës lidhet edhe me fatin e saj politik. Teknikisht ajo është ende pjesë e Serbisë, megjithëse mbi 80 përqind e popullsisë mbështesin pavarësinë.

Meqënëse Kosova nuk është e pavarur, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore nuk mund të japin hua. Investitorët e huaj frenohen nga paqëndrueshmëria dhe statusi i paqartë.

Mungesa e statusit ka penguar edhe procesin e privatizimit të pasurive shtetërore ndërsa ka mosmarrëveshje pronësie me Serbinë, pretendime konfliktuale financiare dhe mendime të ndryshme mes vendeve të rëndësishme evropiane. Adminsitrata e OKB-së është e angazhuar për t’i kapërcyer këto pengesa dhe për të përshpejtuar privatizimin.

Lawrence Rossin, ish ambasador amerikan, është zyrtari i dytë më i lartë i administratës së UNMIK-ut që sapo ka mbërritur në Kosovë.

“Ne kemi sfida të vështira përpara dhe është e rëndësishme mos t’i minimizojmë vështirësitë, përfshirë çështjet e komplikuara si privatizimi. Gjithë ekipi i UNMIK-ut është i vendosur të bëjë gjithshka mundet për të kapërcyer vështirësitë dhe ato bëhen edhe më të vështira për shkak të paqartësisë së statusit të Kosovës, prandaj ne duhet t’i kapërcejmë këto dhe të përshpejtojmë privatizimin.”

Zoti Rossin i tha Zërit të Amerikës se pas zgjedhjeve Kombet e BAshkuara do t’i japin më shumë kompetenca qeverisë së zgjedhur të Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk ka kontroll mbi policinë dhe sistemin e drejtësisë dhe ministria e financave e kontrollon buxhetin së bashku me UNMIK-un.

E vendosur të shkëputet nga kontrolli ekonomik i Serbisë, Kosova hoqi monedhën e Serbisë dhe përdor Euron. Tregëtia është ka marrë një drejtim tjetër drejt jugut me Maqedoninë, Shqipërinë, Italinë dhe Greqinë. Shqipëria ka filluar të ndërtojë një rrugë përmes rajoneve malore për t’u lidhur me shqiptarët në Kosovë.

Ekonomistët thonë se megjithëse Kosova ka një sistem bankar të shëndoshë dhe stabilitet financiar, zhvillimi ekonomik do të varet nga përcaktimi i statusit përfundimtar, një vendim që mund të merret nga Këshilli i Sigurimit. Kombet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera të mëdha, thonë se shpresojnë ta fillojnë këtë proces ndoshta që nga mesi i vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG