Lidhje

Amerikanët ndjehen më pak të kërcënuar nga terrorizmi - 2004-10-15


Një anketë e re mbi politikën e jashtme amerikane arrin në përfundimin se amerikanët ndjehen më pak të kërcënuar nga terrorizmi se në çdo kohë që nga 11 shtatori 2001. Anketa kryehet çdo 4 vjet nga organizata Këshilli i Çikagos për Marrëdhëniet e Jashtme.

64 përqind e të anketuarve nga Këshilli i Çikagos për Marrëdhëniet e Jashtme thanë se ishin të shqetësuar nga terrorizmi, armët e shkatërrimit në masë dhe sulmet bërthamore. Në vitin 2002, në njëp anketë të ngjashme, 83 përqind e publikut u shpreh se terrorizmi, armët e shkatërrimit në masë dhe sulmet bërthamore përbënin kërcënim kritik për Amerikën.

Këshilli i Çicagos, një organizatë e pavarur e angazhuar në krijimin e vetëdijes globale, arriti në përfundimin se amerikanët nuk i kushtojnë shumë rëndësi kërcënimeve terroriste pasi që nga viti 2001 nuk ka pasur sulme në tokën amerikane. Por presidenti i kësaj organizate, Marshall Bouton, thotë se amerikanët ende mbështesin përdorimin e forcës kundër terrorizmit. “Do të thoja se terrorizmi vazhdon të jetë një çështje e rëndësishme e politikës së jashtme amerikane. Amerikanët kanë prirjen të mbështesin çdo gjë që ka lidhje me terrorizmin. Çdo gjë tjetër, ata e shikojnë me skepticizëm.”

Anketa me 1 mijë e 200 drejtues të politikës së jashtme dhe me publikun u krye përmes telefonit dhe internetit. Të anketuarit thanë se ruajtja e vendeve të punës duhet të jetë objektivi kryesor i politikës së jashtme. Ata mbështetën gjithashtu idenë e bashkëpunimin me vendet e tjera për të zgjidhur problemet globale. Ivo Daalder analist pranë Institutit kërkimor Brookings këtu në Washington, thotë se ky rezultat duhet të mirëpritet nga e gjithë bota. “Duket se publiku dhe udhëheqësit amerikanë mendojnë se është e rëndësishme që të gjehen mënyra për të bashkëpunuar me vendet e tjera për të parandaluar terrorizmin dhe përhapjen e armëve dhe në shumicën e rasteve të përdoret forca vetëm në se miratohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Pra kemi të bëjmë me një angazhim amerikan ndaj atyre lloj politikave të jashtme që ky vend ka zbatuar gjatë 60 vjetëve të fundit.”

Anketa arriti në përfundimin që amerikanët janë gati të mbështesin disa masa ushtarake kundër kërcënimeve të menjëhershme, dhe se amerikanëve nuk u pëlqen ideja që të jenë forca policore e botës dhe ata nuk duan të luajnë një rol mbizotërues në çështjet ndërkombëtare. Anketa mbi qëndrimin amerikan ndaj politikës së jashtme është kryer çdo 4 vjet që nga viti 1974.// lk //

XS
SM
MD
LG