Lidhje

Mallrat kontrabandë-pengesë për biznesin dhe kërcënim për jetën - 2004-10-16


Kohët e fundit Shtetet e Bashkuara bënë të njohur një përpjekje të re për frenimin e tregëtisë globale të mallrave të fallsifikuara dhe kontrabandë. Këto lloj mallrash janë bërë pjesë e pandashme e qyteteve dhe përbëjnë rreth 7 për qind të tregëtisë gloable.

Ky lloj biznesi zhvillohet në zemër të qendrës tregtare të New Yorkut, pikërisht në rrugën e famshme Fifth Avenue. Shumë shitës ambulantë shesin çanta grash me çmime të ulura. Shitësit e mallrave të fallsifikuara me çmime të ulura përpiqen t’u fshihen autoriteteve dhe i vendosin dyqanet e tyre ambulante pikërisht jashtë Dyqanit të Ligës Kombëtare të Basketbollit. Në dyqan, pronari Erik Levin thotë se produktet me të njëjtën pamje po e dëmtojnë biznesin e tij.

“Për shembull, ky është një mall i fallsifikuar, që nuk shitet vetëm në Shtetet e Bashkuara , por edhe në vende të tjera të botës. Në pamje ai është mjaft i bukur,” thotë zoti Levin.

Bluzat e basketbollit të prodhuara kontrabandë janë vetëm një pjesë e problemit, që mund t’u kushtojë prodhuesve legjitimë në të gjithë botën miliarda dollarë në vit. Kështu shprehet zëdhënësi kundër mallrave kontrabandë, Timothy Trainer.

“Këto lloj mallrash, në fakt ndikojnë tek të gjitha industritë. Ato nuk kanë të bëjnë vetëm me filmat dhe muzikën, ata nuk janë vetëm çanta lluksoze, apo mallra të kësaj natyre. Të gjithë ata kanë një emër, janë mallra kontrabandë, të cilat shiten nëpër rrugë,” thotë zoti Trainer.

Një shembull i përmasave që merr kopjimi i mallrave është rasti i replikës së avionit Boeing të tipit 707, prodhim kinez i viteve ’70. Madje përparimi në teknologjinë e prodhimit të avionëve e ka bërë më të lehtë se kurrë kopimin e pamjes së jashtme të prodhimeve.

Xhozek Xhokonda është jurist i specializuar në çështjet e liçencave dhe markave: “Mallrat që shiten me çmime të ulura janë prodhuar me materiale shumë më pak të mira se sa ato origjinale, ato ndryshojnë prej tyre nga mënyra e prodhimit dhe në fund të fundit, ato dobësojnë vetë vlerën e mallit të prodhuar nga firma origjinale. Pra në këtë rast, është njëlloj sikur të vjedhësh,” thotë zoti Xhokonda.

Bizneset e ndryshme sigurojnë marka të fabrikës së tyre për të mbrojtur identitetin e prodhimeve të tyre. Ndikimi i përgjithshëm i piraterisë së produkteve çon në frenimin e parave të nevojshme për kërkime të reja në prodhim dhe për përmirësimin e produkteve të reja. Ky fenomen gjithashtu ushqen përdorimin kontrabandë të krahut të lirë të punës. Megjithëse qeveritë bëjnë përpjekje të sinqerta për ndalimin e prodhimeve kontrabandë, ky problem është tepër i vështirë të çrrënjoset.

“Disa prej këtyre mallrave janë të importuar dhe disa janë prodhuar pikërisht këtu, në qytetin e New Yorkut,” thotë inspektori i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, Brian O’Neill.

Zoti O’neill shton se kontrabandistët përdorin mënyra të suksesshme për të mos u kapur.

“Një mënyrë për kapjen e tyre është vënia e etiketave për produktet që janë të destinuara për jashtë shtetit... - thotë zëvendës inspektori i policisë,” thotë inspektori.

Juristi Harley Lewin thotë se ka parë një numër të madh mallrash kontrabandë gjatë viteve, disa prej të cilave janë të rrezikshme.

“Kam parë ilaçe për kancerin të holluara dhe të përzjera me produkte të tjera; kam parë frena makinash prej kartoni. Kam parë mentesha që përdoren për dyert e avionëve. Pra çdo gjë që mund të të shkojë në mendje,” thotë juristi Lewin.

Dhe cila është arsyeja që ky lloj krimi vazhdon?

“Ky është aktiviteti kriminal që sjell më tepër fitime. Është më fitimprurëse edhe se sa tragëtia e narkotikëve dhe ndryshe prej saj, partnerët nuk të vrasin,” thotë zoti Levin.

...Dhe fitime të mëdha do të thotë prodhim edhe më i madh i mallrave të fallsifikuara dhe kontrabandë.

XS
SM
MD
LG