Lidhje

Sekretari Powell mbi sfidat në politikën e jashtme amerikane - 2004-10-17


Sekretari i Shtetit Collin Powell tha se politika amerikane e sigurimit kombëtar përbëhet nga shumë elementë, që nga lufta e drejtpërdrejtë kundër terrorizmit, e deri tek përpjekjet për zhvillimin e vendeve që mund të bëhen strehë e ekstremistëve. Ai ishte folësi kryesor në ceremoninë festive me rastin e 60-vjetorit të Shkollës së Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, që u zhvillua në ambasadën italiane në Washington. Sekretari Powell, i cili mori dekoratën e Presidentit të Universitetit Johns Hopkins, në fjalën e rastit u përqendrua në sfidat e politikës së jashtme.

Ai tha se padyshim që terrorizmi do të jetë një nga sfidat kryesore për administratën e ardhshme amerikane. Sekretari Powell përmendi sukseset e arritura në Irak e Afganistan dhe theksoi posaçërisht zgjedhjet e para pak ditëve në Afganistan, ku tha se demokracia po hedh rrënjë. “Por politika e jashtme ka të bëjë shumë më tepër se me Irakun dhe Afganistanin. Në strategjinë për Sigurimin Ndërkombëtar të presidentit Bush thuhet se armiqtë në të kaluarën duhet të kishin ushtri të mëdha e fuqi industriale që të ishin në gjendje të kërcënonin Amerikën, kurse tani rrjete sekrete e indvidë mund të shkaktojnë kaos e vuajtje në brigjet amerikane me një kosto më të lirë se vlera e një tanku,” tha zoti Powell.

Sekretari i shtetit theksoi se vendimmarrësit amerikanë në të kaluarën shqetësoheshin veçanërisht në lidhje me fuqinë e shteteve, por sot, tha ai, ne duhet të shqetësohemi edhe për dobësinë e shteteve - shtete që mund të bëhen strehë për terrroistët. “Dhe kjo do të thotë, u shpreh Sekretari Powell, se ne duhet të bëjmë më shumë se sa t’i luftojmë, kur na sulmojnë”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen me këto vende për të zhdukur shkaqet që ushqejnë terrorizmit, të tilla si mungesa e shpresës dhe varfëria.

Në këtë kontekst, Sekretari Powell përmendi Fondin amerikan për Sfidën e Mijëvjeçarit.

“Prej këtij fondi do të përfitojnë ato vende në zhvillim që janë angazhuar për demokraci, shtet juridik, zhdukjen e korrupsionit, dinjitet për individin, të drejtat e njeriut. Ato vende që kanë zgjedhur rrugën e duhur për të ardhmen, do të gjejnë mbështetjen e Amerikës e cila do ti ndihmojë në fushën e arsimit, në zhvillimin e infrastrukturës, të mjeteve të duhura për thithjen e tregëtisë; ato vende që nuk presin vetëm të marrin ndihma,” tha zoti Powell.

Para pak ditësh administrata amerikane publikoi listën e 7 vendeve të reja që mund të përfitojnë nga Fondi amerikan për Sfidën e Mijëvjeçarit. Këto vende, ndër të cilat edhe Shqipëria, janë ftuar të paraqesin strategjitë për përmirësimin në fusha të caktuara dhe plotësuar kriteret e duhura.

Sekretari i Shtetit Collin Powell tha se të gjithë ato elemente, si lufta kundër varfërisë, kundër sëmundjeve, inkurajimi i tregëtisë, lufta kundër amiqve, së bashku, përbëjnë politikën amerikane për sigurim kombëtar.

Dorëzimi i dekoratës Sekretarit Powell ishte pjesë e festimeve me rastin e 60-vjetorit të Shkollës së Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Washington. Kjo shkollë ka degët e saj edhe në Itali e Kinë.

Veprimtaria u zhvillua në Ambasadën Italiane në Washington.

XS
SM
MD
LG