Lidhje

Petersen: e drejta për të votuar, thelbësore në një shoqëri demokratike - 2004-10-18


Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Sorren-Jessen Petersen, kritikoi ashpër sonte deklaratat dhe veprimet që synojnë të parandalojnë serbët e Kosovës nga pjesëmarrja në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 tetorit. Zoti Petersen, tha në një deklaratë shpërndarë medias në Prishtinë, se shkurajimi i njerëzve për të votuar është anti-demokratik.

Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, Sorren-Jessen Petersen, shprehu shqetësimin e tij të thellë sonte, për shkak të përjekjeve për t'i bindur serbët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 tetorit në Kosovë. Zoti Petersen tha se ditët e fundit, ka parë deklarata dhe veprime që synojnë të parandalojnë serbët e Kosovës nga pjesëmarrja në votime. Kjo, tha ai, është e papranueshme. E drejta për të votuar është thelbësore në një shoqëri demokratike, të shkurajosh njerëzit në mënyrë aktive nga ekzekutimi i kësaj të drejte bazë, është anti-demokratike, -tha zoti Petersen, në një deklaratë transmetuar nga zyra e tij e shtypit.

Kryeadministratori nënvizoi se votimi i së dielës do të thotë të bëhesh pjesë aktive e jetës institucionale në Kosovë, do të thotë të ngrihesh në këmbë për interesat, të drejtat dhe shqetësimet e tua. Ai nënvizoi se ata që u kërkojnë serbëve të Kosovës të mos votojnë, thjesht nuk marrin parasysh interesat e popullit të tyre. Vetëm ata që ndërmarrin veprime për të tejkaluar izolimin mund të ndryshojnë të tashmen drejt një të ardhme më të mirë.

Kryeadministratori vuri në dukje se UNMIK dhe KFOR kanë punuar shumë për garancitë e sigurisë dhe se është bërë përparim në këtë. Ai shtoi se synimi është jo vetëm sigurimi i një dite të qetë dhe të sigurtë votimesh, por angazhimi në krjimin e të gjitha kushteve të nevojshme për një jetë normale dhe një të ardhme më të mirë për popullsinë serbe në Kosovë, për të gjitha pakicat dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. Zoti Petersen tha se kjo mund të bëhet vetëm duke punuar së bashku si partnerë në një process të ligjshëm demokratik. “Të gjithë udhëheqësit e përgjegjshëm, që sinqerisht i kanë në zemër interesat më të mira të komunitetit të serbëve të Kosovës, duhet ta demonstrojnë këtë, duke punuar me ne për të izoluar individët që venë interesat e tyre vetiake, para interesave të së ardhmes së komunitetit të tyre. Ata që ndjekin interesa të tilla të ngushta duhet të ndërgjegjësohen se burimet e plota të UNMIK-ut dhe KFOR-it janë të angazhuara për t'u siguruar që të gjithë personat me të drejtë vote, të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike në siguri dhe besim”, theksoi kryeadministratori i Kosovës Sorren-Jessen Petersen.

XS
SM
MD
LG