Lidhje

Procesi i votimit të parakohshëm ose votimit në mungesë - 2004-10-20


Votuesit në Texas, Colorado, Arkansas dhe Florida kanë filluar të votojnë. Megjithëse çdo shtet ofron një formë votimi në mungesë, që prej zgjedhjeve të vitit 2000, shumë shtete kanë shtuar ose lehtësuar rregullat e votimit në mungesë për t’u bërë njerzve të mundur të votojnë direkt disa javë para ditës së zgjedhjeve.

Mes shteteve të tjera që kanë filluar procesin e drejtëpërdrejtë të votimit janë Wisconsin, Iowa, Nevada, Ohio, New Mexico dhe Pensillvenia. Votimi me postë ka filluar në shtetin Oregon, i vetmi shtet që ka eliminuar vajtjen në qendrat e votimit.

Të dy fushatat presidenciale llogarisin se të paktën 20 përqind e votusve amerikanë do të votojnë para 2 nëntorit. Këto vota numërohen po në ditën e zgjedhjeve dhe rezultati nuk dihet deri më 2 nëntor. Të hënën, kandidati demokrat për president, John Kerry, e vazhdoi fushatën në pjesën jugore të shtetit Florida për t’u bërë thirrje floridianëve që të votojnë sa më parë.

“Në se votoni tani, ne nuk na duhet të presim deri vonë të martën më 2 nëntor. Dua që ju të votoni tani dhe ta kryeni detyrën tuaj.”

Presidenti republikan George W. Bush ishte në Florida gjatë fundit të javës dhe bëri disa ndalesa me vëllanë e tij, guvernatorin e Floridës, Jeb Bush në tubime fushate në gjithë shtetin.

Në zgjedhjet e vitit 2000, në Florida për 36 ditë pas ditës së zgjedhjeve u numëruan votat, që çuan në fitoren e presidentit Bush në atë shtet dhe në gjithë vendin. Zyrtarët e zgjedhjeve thonë se votimi para kohe në Florida duhet të eliminojë problemin e para 4 vjetëve, përfshirë rradhët e gjata dhe konfuzionin rreth zgjedhjes së kandidatit në fletëvotim, pavarësisht në se procesi është elektronik apo me fletëvotime prej letre.

Mbështetësit e votimit para kohe thonë se pjesëmarrja në zgjedhje shtohet kur votuesit kanë më shumë ditë dhe alternativa për të votuar. Shumë qendra votimi në Florida janë të hapura të shtunën dhe për herë të parë në histori janë të hapura edhe të dielën.

Kritikët e votimit para kohe thonë se kjo mënyrë votimi e bën më të lehtë manipulimin e votave. Në shtetin perëndimor të Colorados, zyrtarët e zgjedhjeve u mblodhën për të diskutuar rreth shqetësimeve mbi manipulimin e votave pasi u mësua se më shumë se 6 mijë kriminelë ishin përfshirë në listat e votusve. Persona të dënuar për krime të ndryshme ose personat e liruar me kusht nuk lejohen të votojnë.

Pak pas hapjes së qendrave të votimit në Florida, u shfaqën probleme kur zgjedhësve iu dha vetëm njëra prej dy faqeve të fletëvotimit. Në një qendër tjetër, ndërprerja e rrymës elektrike bëri që të pezullohej votimi elektronik.

//ze//

XS
SM
MD
LG