Lidhje

Mesazh i Kofi Anan në prag të zgjedhjeve në Kosovë - 2004-10-22


Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan ka dërguar një mesazh për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të zhvillohen nesër. Në këtë mesazh të transmetuar nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, zoti Anan u bëri thirrje të gjitha komuniteteve në Kosovë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Zoti Anan u bëri thirrje komunitetit serb të Kosovës që të marrë pjesë në zgjedhje dhe në këtë mënyrë të sigurohet që interesat dhe shqetësimet e tij të përfaqsohen dhe mbrohen brenda institucioneve të përkohshme të Kosovës. “Udhëheqësit e Kosovës duhet të bëjnë gjithçka për të inkurajuar votuesit e Kosovës që të angazhohen në procesin demokratik,” theksoi zoti Anan duke shtuar se zgjedhjet e 23 tetorit do të jenë zgjedhjet e para që organizohen dhe drejtohen në masë të madhe nga vetë populli i Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së shprehu besimin se këto zgjedhje do të jenë provë për një hap tjetër të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve përfaqësuese dhe demokratike të përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë dhe një demostrim i mëtejshëm i përparimit të Kosovës në rrugën e normalizimit dhe stabilitetit.

Në Kosovë përfundoi mbrëmë fushata për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 tetorit. Partitë, grupimet politike dhe kandidatët e pavarur bënë dje përpjekjen e tyre të fundit për të bindur zgjedhësit që të votojnë për alternativën që ata përfaqësojnë ndërkohë që organet që po merren me organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, përsëritën thirrjet për pjesëmarrje në votime. Fushata zgjedhore kaloi përgjithësisht e qetë ndërkohë që janë bërë të gjitha përgatitjet për garantimin e një mjedisi të sigurt për mbajtjen e zgjedhjeve.

Zgjedhjet e 23 tetorit janë mjaft të rëndësishme për Kosovën sepse janë të fundit para shqyrtimit të plotësimit të standarteve të vendosura nga bashkësia ndërkombëtare dhe mundësisë për fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës. //bsa//

XS
SM
MD
LG