Lidhje

Presidenti Bush cakton fond për shkatërrimin e armëve kimike në Shqipëri - 2004-10-22


Presidenti Bush caktoi një fond për të ndihmuar Shqipërinë të shkatërrojë armët kimike. Projekti për shkatërrimin e agjentëve kimikë në Shqipëri do të realizohet nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes në bashkëpunim me autoritetet shqiptare.

Kjo nismë ndërmerret në kuadër të Projektit Nunn-Lugar për Pakësimin e Kërcënimit nga armët e shkatërrimit në masë. Programi mban emrin e dy senatorëve amerikanë që janë nismëtarët e tij, Samm Nunn dhe Richard Lugar.

Një nismë e tillë do të ndihmojë Shtetet e Bashkuara për realizimin e synimeve afat-gjata për mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë. Kjo është hera e parë që ky program amerikan përdoret në një vend tjetër jashtë ish Bashkimit Sovjetik.

Pas autorizimit të fondeve nga Shtëpia e Bardhë senatori Lugar falenderoi udhëheqjen e Shqipërisë që kërkoi ndihmën amerikane për të shkatërruar këto armë të rrezikshme. Senatori Lugar është kryetar i komisionit të jashtëm të Senatit amerikan. Ai ishte për vizitë në Shqipëri në gusht të këtij viti ku vizitoi ndër të tjera edhe një magazinë agjeentësh kimikë, e cila ka përfituar tashmë nga fondet amerikane për të përmirësuar masat e sigurisë rreth saj.

Projekti në Shqipëri pritet të zgjasë rreth dy vjet me një kosto rreth 16 milionë dollarë për të asgjesuar 16 tonelata me agjentë kimikë. Hollësi të tjera rreth vendit ku mbahen këta agjentë ose rreth procesit të shkatërrimit të tyre nuk do të jepen në këtë kohë për arësye sigurimi dhe për t’u mos u dhënë personave të interesuar për të përhapur këto armë, ose terroristëve informacione që mund të venë në rrezik shkatërrimin e stoqeve kimike.

XS
SM
MD
LG