Lidhje

Politikat e brendëshme të kandidatëve presidencial - 2004-10-22


Pak ditë para zgjedhjeve presidenciale, presidenti Bush dhe senatori Kerry vazhdojnë të shkëmbejnë akuza se kush mund t’i trajtojë më mirë çështjet e politikës së brendshme që janë të rëndësishme për votuesit amerikanë. Ndërsa ekonomia është çështje shqetësuese për shumë njerëz, çështje të tjera si kujdesi shëndetsor po diskutohen çdo ditë. Dy kandidatët i kanë diskutuar shumë nga këto çështje gjatë debateve të fundit publike.

Në ditët e fundit para përfundimit të garës për Shtëpinë e Bardhë, kandidatët kanë shkëmbyer vazhdimisht akuza se cili prej tyre mund të krijojë vende pune dhe t’i japë shtytje ripërtëritjes së ekonomisë amerikane. Presidenti Bush thotë se përpjekja e tij e sukseshme për uljen e taksave ka ringjallur një ekonomi që ishte goditur nga rënia e tregut të aksioneve, ngadalsimi ekonomik, skandalet e korporatave dhe sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara.

“Njerëzit i dinë të mirat e uljes së taksave. Kur ke fëmijë, je lehtësuar nga taksat. Kur je i martuar je lehtësuar nga taksat. Nëse ke paguar çfarëdo taksash, prapë je lehtësuar. Të gjitha këto janë kundërshtuar nga rivali im, por lehtësimi i taksave ishte i rëndësishëm për të nxitur konsumin dhe investimet dhe për të na nxjerrë nga ngadalsimi ekonomik.”

Presidenti Bush thotë se ulja e taksave kanë ndihmuar në krijimin e 1.5 milion vendeve të punës këtë vit, por kjo do të linte akoma një humbje prej 600 mijë vendesh pune që kur presidenti filloi nga detyra në janar të vitit 2001. Senatori Kerry mundohet t’i përdorë shifrat e vendeve të punës në avantazh të tij, duke thënë se ka shumë kohë që Amerika nuk ka pasur kaq shumë humbje të vendeve të punës gjatë një mandati katër-vjeçar presidencial.

“Vendet e punës që ka krijuar presidenti paguajnë 9 mijë dollar më pak sesa vendet e punës që po humbasim. Dhe ky është presidenti i parë në 72 vjet që ka humbur 1.6 milion vende pune. 11 presidentë të tjerë, gjashtë demokratë dhe 5 republikanë, kanë shpallur luftëra, kanë pasur rënie dhe vështirësi. Por asnjëri prej tyre nuk ka humbur vende pune si ky president.”

Senatori Kerry propozon që të anullojë taksat për familjet që fitojnë më shumë se 200 mijë dollarë në vit, duke mbajtur pjesërisht në fuqi shkurtimin e taksave për njerëzit me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Kandidati presidencial demokrat e kritikon presidentin Bush gjithashtu për rritjen e kostos së kujdesit shëndetësor.

“Fëmijët në vendin tonë nuk kanë shërbim shëndetësor. Ne jemi vendi më i pasur në planet, dhe vendi i vetëm i industrializuar që nuk kemi kujdes shëndetsor për fëmijët. Unë kam një plan për t’u siguruar të gjithë amerikanëve kujdes shëndetsor. Ne do ta bëjmë atë të mundur për të gjithë dhe do të bëjmë që të gjithë të mund të kenë të njëjtin plan shëndetsor që senatorët dhe anëtarët e kongresit kanë për vete.”

Presidenti thotë se propozimet e zotit Kerry janë shumë të kushtueshme.

“Dua t’u kujtoj njerëzve se plani nuk mund të jetë një sërë ankesash, dhe plan nuk është të parashtrosh programe për të cilat nuk mund të paguash. Në bazë të propozimit të senatorit, në se çdo familje amerikane blen të njëjtin plan që kanë senatorët, kjo do t’i kushtonte qeverisë 5 triliardë dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm. Ky është një premtim bosh.”

Çështje të tjera të politikës së brendshme si financimi i sistemit amerikan të pensioneve, i njohur si Sigurimet Shoqërore, reformimi i arsimit, kontrolli i armëve, martesat e homoseksualëve, aborti dhe mjedisi po diskutohen gjithashtu, por sipas anketave të opinionit amerikanët vazhdojnë të jenë më të shqetësuar mbi ekonominë, luftën kundër terrorizmit dhe konfliktin në Irak.

XS
SM
MD
LG