Lidhje

Qeveria shqiptare miraton listën e personave dhe subjekteve ”financues të terrorizmit”  - 2004-10-29


318 persona dhe 114 subjekte e fondacione janë përfshirë në listën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si financues të terrorrizmit. Kjo listë e gjatë u miratua të premten edhe nga qeveria shqiptare. Me këtë vendim, të gjithë ata që kanë dijeni për fonde apo pasuri, për veprime financiare apo veprimtari të tjera për personat në listë, detyrohen ligjërisht të njoftojnë menjëherë ministrinë e Financave.

Po ashtu vendimi përcakton se subjektet që kanë në zotërim, që kontrollojnë ose kanë të drejtë a interes mbi fondet dhe pasuritë e personave të shpallur në listë, ndalohen të lejojnë apo të kryejnë veprime juridike apo shërbime të çdo lloji mbi to. Ministria e Financave është autoriteti i cili ka detyrimin e marrjes së masave të sekuestrimit, bllokimit të pasurive dhe ndalimit të financimit.

Zëdhënësi i qeverisë, Aldrin Dalipi, tha të premten se për këtë qëllim është bashkëpunuar me institucionet ndërkombëtare për të marë dokumentacionin e kërkuar për të bërë shpalljen publike të tyre që institucionet përgjegjëse, të cilat mund të kenë të rregjistruar pasuritë e tyre apo disponojnë fonde të këtyre personave, të zbatojnë aktet e ministrisë së Financave për t’i bllokuar këto pasuri dhe për t’i ngrirë ato.

Burime të ministrisë së Financave thanë të premten se aktualisht janë ngrirë fondet e 2 shoqatave Islamike që vepronin në Shqipëri dhe janë të përfshira në listë, Global Relief Foundation dhe Al Haramain, dega e Shqipërisë. Po ashtu janë ngrirë edhe pasuritë e një personi Yassin Kadi, më nënshtetësi arabe.

Hetimet ndaj Yassin Kadi-iut, kanë nisur që në fund të vitit 2001. Ai kishte disa aktivitete biznesi duke filluar që nga ndërtimet deri te ilaçet dhe kozmetika. Zoti Kadi-u dhe shoqëria e tij e ndërtimeve, Karavan Construction, ishin dhe bashkëpronar të të dy kullave të larta që janë ndërtuar në zemër të Tiranës, vetëm 100 metra larg godinës së qeverisë shqiptare. Për këtë arsye në vitin 2002 punimet në to u pezulluan për disa muaj me vendim të gjykatës së Tiranës. Yassin Kadi-u kishte lidhje të ngushta me Abdyl Latif-in nga Jordania, i arrestuar dhe më pas i dëbuar nga Shqipëria në vitin 1999, pasi dyshohej për lidhje me organizatat terroriste. Madje Latif-i kishte kaluar në favor të Yassin Kadi-së të gjitha pasuritë e tij.

Shtrirja e rrjetit financiar të al-Kaidës në Shqipëri u bë për herë të parë publike në janar të vitit 2002 nga kryeministri i atëhershëm, Ilir Meta, gjatë një raportimi të tij në parlament. Zoti Meta deklaroi në atë kohë se në dy banka në Shqipëri ishin bllokuar llogaritë e disa shoqërive të huaja.

Vetëm pak javë përpara këtij deklarimi, më 14 dhjetor të 2001 në Tiranë ishin ndaluar tre shtetas irakianë gjatë një operacioni ndërkombëtar që ishte shtrirë në të gjitha shtetet ku kishte seli fondacioni Global Relief. Në Shqipëri ky fondacion me zyra në qendër të kryeqytetit vepronte që prej vitit 1994 dhe në llogaritë e tij qarkullonin qindra mijëra dollarë.

Goditja ndaj organizatave të lidhura me terrorizmin u forcua edhe në Shqipëri pas ngjarjeve të 11 shtatorit, ndonëse ato kishin nisur që në qershor të vitit 1998, ku, së bashku me shërbimet sekrete amerikane, u zbulua ajo që njihej si ”celula e Tiranës”. Pikërisht në atë muaj u bë dhe kapja e Moget Mustafa, anëtar i Xhihadit i cili punonte pranë fondacionit al-Haramain i përshirë në listën e miratuar të premten nga qeveria shqiptare. //az//

XS
SM
MD
LG