Lidhje

SHBA: kandidatët vazhdojnë fushatën në shtetet e lëkundura - 2004-10-30


Vetëm pak ditë kanë mbetur nga zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Tani gara po zhvillohet tepër e ngushtë mes kandidatit republikan Xhorxh Bush dhe atij demokrat Xhon Keri. Të dy kandidatët po e përqendrojnë tani fushatën tek ato pak shtete, të cilat mund të përcaktojnë se cili nga kandidat do ta fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë. Po cilat janë strategjitë që po përdorin tani të dy kandidatët?

Presidenti Xhorxh Bush dhe Senatori Xhon Keri po përdorin strategji të ndryshme tani që fushatës elektorale po i vjen fundi. Analistët politikë thonë se zoti Bush po thekson dallimet mes tij dhe Senatorit Kerry, dhe po përpiqet të sigurojë përkrahës konservatorë në shtetet tek të cilat ai humbi me një rezultat të ngushtë në zgjedhjet e vitit 2000.

“Me ndihmën tuaj ne do të fitojmë votat e Pensilvanisë në zgjedhjet e 2 nëntorit,” tha presidenti në një tubim ditët e fundit.

Stephen Wayne, profesor i shkencave politike në Universitetin Xhorxhtaun të Washingtonit thotë se fushata e presidentit Bush nuk po përqëndrohet më në një përqindje të vogël votuesish amerikanë.

“Strategjia përfundimtare për republikanët është shumë e qartë: ata mendojnë se kanë bërë atë ç’ishte e mundur me votuesit e pavarur. Kështuqë po përpiqen të mobilizojnë mbështetësit e tyre, duke u përpjekur të nxjerrin sa më shumë republikanë që të jetë e mundur. Këtë presidenti e bën duke e cilësuar kandidatin demokrat si liberal, duke përmendur çështje si besimi dhe lufta, si dhe pakësimin e taksave,” thotë profesori.

Analistët thonë se Senatori Keri po përqëndrohet në mobilizimin e sa më shumë demokratëve për të votuar. Por këshilltarët e fushatës së tij thonë se po përpiqen të tërheqin votuesit e pavendosur ose ata që po anojnë nga Presidenti Bush. Për të realizuar këtë, thonë ata, zoti Keri tani kritikon çdo ditë presidentin Bush lidhur me gjendjen në Irak. Disa akuza të reja kanë theksuar se Shtetet e Bahskuara nuk arritën të mbrojnë lëndët plasëse për të cilat thuhet se u grabitën pas fillimit të luftës nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në Irak.

“Tani ne e dimë se vendi ynë dhe trupat tona janë më pak të sigurta për arsye se presidenti Bush dështoi në çështjet bazë, duke kryer një nga gabimet më të mëdha të luftës në Irak,” tha senatori demokrat.

Michael McDonald, analist i Institutit Brookings në Washington thotë se sulmet e zotit Kerry ndaj zotit Bush synojnë pjesërisht të nxisin, apo të tërheqin votues më pak të motivuar në shtete kyçe për rezultatin e zgjedhjeve, si Florida, Pensilvania dhe Ohio.

“Zoti Kerry shpreson të sigurojë një numër më të madh votuesish në ato vende, ku zakonisht pjesëmarrja në votime është e vogël. Kjo pjesë e votuesve ka më pak lidhje me partitë politike dhe është më e lehtë që ajo të bindet, prandaj zoti Kerry shpreson që ky grup njerëzish të votojnë për të,” tha analisti McDonald.

Analistët thonë se kandidatët mund të përdorin orët e fundit të garës për të argumentuar se ata mund ta drejtojnë më mirë vendin në kohë lufte. Strategët republikanë thonë se tema e preferuar e Presidentit Bush do të vazhdojë të mbetet 11 Shtatori, duke i kujtuar votuesit të dalin në votime, duke patur në mendje sulmet terroriste të 11 shtatorit.

Ndërsa për senatorin Kerry, tema e preferuar mbetet ajo politikës së brendshme, për të cilën ai thotë se është më i përgatitur se zoti Bush, si dhe lufta kundër terrorizmit.

Analisti politik Xhon Fortier i Institutit Amerikan Entreprize në Washington thotë se këto zgjedhje, ashtu sikurse edhe ato të mëparshmet, në fund të fundit kanë të bëjnë me mënyrën se si e ka kryer detyrën Presidenti.

“Zgjedhjet kanë të bëjnë me George Bush-in. A duam ne ta ndryshojmë drejtimin e vendit në kohë trazirash? Presidenti do të thonte se ai është një udhëheqës i fortë dhe se kaloi momente shumë të vështira pas 11 shtatorit. John Kerry do të thotë se presidenti Bush na udhëhoqi në drejtimin e gabuar duke filluar luftën në Irak, se ai na drejtoi në drejtim të kundërt të luftës ndaj terrorizmit, që është çështja me të vërtetë thelbësore e zgjedhjeve,” tha zoti Fortier.

Në kërkim të një numri sa më të madh votash, të dy fushatat po shfrytëzojnë me këtë rast figura të famshme. Kështu, guvarnatori republikan i Kalifornisë, Arnold Schwarzennegger zhvilloi fushatë për zotin Bush, ndërsa në mitingun e tij në Filadelfia, senatori Kerry kishte përkrah tij ish-presidentin demokrat Bill Clinton.

Ndërsa zgjedhjet e 2 nëntorit po afrojnë, të dy kandidatët po përpiqen të mos i planifikojnë me përpikmëri aktivitetet gjatë ditëve të fundit, në mënyrë që të kenë kohë të shkojnë në disa prej shteteve, ku ndryshimet e minutës së fundit mund të përmirësojnë shanset për t’i fituar zgjedhjet.

XS
SM
MD
LG