Lidhje

Kosovë: rinumërim i pjesëshëm votash si pasojë e disa gabimeve - 2004-10-30


Janë 15 gabime në pesë komuna të ndryshme të Kosovës që kanë kushtëzuar rinumërimin e votave një javë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Kështu thanë sot zyrtarët e Komisionit për Ankesa e Parashtresa duke arsyetuar vendimin e mbrëmshëm të Komisionit Qendor të Zgjedhjeve për rinumërimin e votave, proces ky i cili filloi sot dhe pritet të zgjasë të paktën deri të hënën.

Jeanie Alison Sitton nga Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa tha se vendimi nuk ishte i lehtë, meqë rinumërimi i 600 mijë votave është një përgjegjësi serioze për shkak të përpjekjeve, kohës dhe parave që duhet shpenzuar. Vendimi tha ajo pasoi ankesat e anëtarëve të komisioneve zgjedhore nëpër vendvotime dhe vlerësimeve që pasuan ankesat e tilla. “Në rastet e hetuara nga Komisioni, janë gjetur 15 gabime që përfshijnë qindra vota të mjaftueshme për të ndryshuar renditjen e vendeve në Parlamentin e Kosovës. Gabimet janë zbuluar në Deçan, Gjakovë, Skënderaj, Viti dhe Rahovec. Pas hetimeve u pa se gabimet kishin një shtrirje të gjerë”.

Ajo mori si shembull rastet kur një subjekt i vogël politik i radhitur afër një subjekti më të madh kishte marrë 185 vota në një qendër votimi, por në asnjë tjetër nuk kishte më shumë se 13 vota. Në një rast tjetër një subjekt kishte marrë 366 vota në një qendër votimi, ndërsa jo më shumë se 8 vota në ndonjë qendër tjetër të votimit në të njëtën komunë. Kjo prirje, theksoi ajo, është përsëritur me parti të ndryshme dhe subjekte të vogla të radhitura pranë atyre të mëdha. Ajo tha se sipas rezultatete paraprake një ndërrim i vogël i disa dhjetëra votave do të mund të shkaktonte ndërrimin e vendeve në Parlament, prandaj është vendosur që votat në tërësi të numërohen.

Por ajo mohoi të ketë pasur ndonjë mashtrim të qëllimshëm gjatë nuëmrimit, duke nënvizuar se ka ndodhur që një subjekt politik në disa raste ka fituar e në disa raste ka humbur për shkak të gabimeve që kishin të bëjnë me mbushjen e formularëve dhe ishin kushtëzuar nga gabime njerzore përfshirë edhe lodhjen e anëtarve të komisioneve nëpër qendra të votimit. Ajo tha se gabimet mund të ndreqen duke i siguruar qytetarët se “fletat e votimit janë dëshmi e vullnetit të tyre politik”.

Vendimi për rinumërimin e votave është mbështetur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara dhe nuk është kundërshtuar as nga partitë politike. Këto të fundit thonë se rezultatet e zgjedhjeve do të jenë të pranueshme pavarësisht se si mund të duken pas rinumërimit, i cili për një pjesë të partive është proces i natyrshëm që ndodh në vendet demokratike. Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët ditë më parë thanë se u mungojnë 5 mijë vota, pohuan se nuk e kanë kërkuar rinumërimin e tyre, por vetëm shqyrtimin dhe shmangien e gabimeve të mundshme. Partitë Politike kanë kërkuar që tërë procesi të jetë i mbikëqyrur për të shmangur çdo keqkuptim që mund të kishte pasoja për procesin politik.

Zgjedhjet parlamentare të së shtunës janë të katërtat më radhë në Kosovën e pasluftës dhe të dytat për institucionet qëndrore. Ato u vlerësuan si zgjedhje të lira e demokratike, ndërsa rinumërimi i votave, pavarësisht se bëhet për të shmangur gabimet dhe, siç thonë autoritetet, për ta bërë procesin sa më transparent, megjithatë për një pjesë të vëzhguesve të pavarur, lë prapa një shije të hidhur.

XS
SM
MD
LG