Lidhje

Julie Mertus: Zgjedhjet në Kosovë e kaluan me sukses provën - 2004-10-31


Një vëzhguese amerikane e zgjedhjeve të 23 tetorit në Kosovë, Julie Mertus, thotë se fakti që serbët në shumicën e tyre i bojkotuan zgjedhjet nuk mund t’i pengojë njerëzit për të thënë se votimet ishin të drejta dhe të lira. Zonja Mertus, autore e disa librave, ka qenë shpesh në Kosovë dhe është profesore në Universitetin Amerikan këtu në Uashington.

Zëri i Amerikës Para zgjedhjeve, zyrtarët ndërkombëtarë theksonin shpesh se zgjedhjet do të ishin një test para se të fillojnë bisedimet për statusin nga mesi i vitit tjetër. A e kaloi Kosova këtë test?

Prof. Julie Mertus Ky test ka dy aspekte. I pari ishte: a do të mundëte Kosova të realizonte zgjedhje demokratike, të lira e të drejta. Mendoj se këtë provë ata e kaluan shkëlqyeshëm. Ata vepruan në mënyrë profesionale, të efektëshme, gjithëpërfshirëse, dhe zgjedhjet u administruan shumë mirë. Gjëja tjetër për të cilën flasin njerëzit është çështja e votimit të serbëve. Serbët nuk votuan. Por përsëri mendoj se zgjedhjet e kaluan provën sepse serbët i patën mundësitë të votonin, fushatat nuk ishin anti-serbe, në fjalimet e fushatave as që u përmendën serbët. U hapën qendra votimi në Nish dhe në Beograd. U përdorën të gjitha mjetet për të tërhequr serbët të merrnin pjesë në votim. Fakti që ata nuk votuan nuk mund t’i pengojë njerëzit për të thënë se sa të drejta dhe të lira ishin këto zgjedhje.

Zëri i Amerikës A do ta quanit mospjesmarrjen e serbëve ndoshta edhe një dështim për UNMIK-un, i cili nuk ka arritur të ndikojë mjaftueshëm mbi ta, por i ka lënë nën varësinë e Beogradit.

Prof. Julie Mertus Diçka mund të quhet dështim nëse nuk ia arrin qëllimit. Është e vërtetë që kishte një objektiv, pra përpjekjet për t’i bindur serbët të votonin. Por nuk mund të detyrohet dikush të votojë nëse nuk ky dikush dëshiron. Strategjia politike e serbëve ishte për të mos votuar. Dhe unë mendoj se ne duhet ta respektojmë këtë. Kjo nuk do të thotë se ata nuk do të marrin vende në parlament. Serbëve do t’u jepen 10 vende dhe 10 të tjera do t’u jepen pakicave të tjera. Pra 20 vende janë vënë mënjanë për deputetët jo-shqiptarë. Pra interesat e tyre vazhdojnë të mbrohen dhe strategjia e tyre politike duhet të respektohet: askush nuk duhet të detyrohet të votojë.

Zëri i Amerikës Departamenti amerikan i shtetit tha se duke bojkotuar zgjedhjet serbët i bënë dëm vetes. Po çështjes së statusit përfundimtar a i kanë bërë dëm ata?

Prof. Julie Mertus Mendoj se po sepse ata mund të kishin mbështetur një kandidat të mirë dhe mund të kishin bërë një fushatë politike që do ta kishte vënë theksin tek gjithpërfshirja. Për mendimin tim personal kjo do të kishte qenë një strategji më e mirë. Por e përsëris se ne duhet të respektojmë strategjinë e tyre dhe strategjia e tyre ishte të mos merrnin pjesë. Për pjesmarrjen e tyre u bë çdo përpjekje, atyre iu bënë shumë lëshime, por ata vendosën të mos merrnin pjesë.

Zëri i Amerikës Në muajin mars, pikërisht kur gjendja dukej fare e qetë, Kosova u përfshi nga dhuna. Pavarësisht nga zgjedhjet, të cilat nga ana e shqiptarëve u zhvilluan pa probleme, është vështirë të thuhet se brenda kaq pak muajve në Kosovë janë zhdukur shkaqet thelbësore që çuan në këtë dhunë. Si e shikoni ju situatën?

Prof. Julie Mertus Dhuna e marsit është një mister i vërtetë dhe askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për të. Natyrisht ka gjithfarë zërash, por megjithatë ajo tregon se Kosova është një bombë me sahat që mund të shpërthejë çdo çast. Është ende një rajon shumë i tensionuar dhe një shkrepse mund ta ndezë. Mendoj se njerëzit në mendjet dhe në zemrat e tyre kanë një dëshirë të madhe t’i tejkalojnë këto gjëra, pavarësisht se si do të jetë e ardhmja dhe statusi i Kosovës. Ata besojnë se mbajtja e këtyre zgjedhjeve demonstroi pjekuri dhe do të lejojë që ata të kenë një farë zgjidhjeje për statusin përfundimtar, pavarësisht se cila do të jetë ajo. Por diçka duhet të ndodhë. Dhe nëse kjo nuk ndodh, atëhere mund të ketë përsëri dhunë.

XS
SM
MD
LG