Lidhje

Kosova - Jetë që ndërthuren: Një dokumentar për thyerjen e paragjykimeve. - 2004-10-31


“Kosovo/Kosova - Interweaving Lives - Jetë që ndërthuren” është një dokumentar i xhiruar në vitin 2002, i cili synon të pasqyrojë jetën e përditshme të katër banorëve të Kosovës. Ata janë të rinj që jetojnë në komunitete krejtësisht të ndara, por producentja e dokumentarit, Jody Barrett, thotë se ata kanë mjaft gjëra të përbashkëta. Ajo thotë se synimi i dokumentarit është të thyejë paragjykimet.

Zëri i Amerikës Zonja Barrett, dokumentari juaj mbeshtetet ne rrefimin e kater te rinjve: dy shqiptare e dy serbe ne Kosoven e pas luftes. Sa mendoni se ky film eshte afer realitetit?

Jody Barrett Ky ishte dhe synimi im: pasqyrimi i jetës së përditshme të të rinjve në Kosovë. Synimi ishte të mos impononim pikëpamjen tonë, por vetëm të tregojmë për jetën e këtyre të rinjve të moshës nga 16 deri në 23 vjeç.

Zëri i Amerikës Ju e keni shfaqur dokumentarin ne Kosove. Ju madje e keni shfaqur ate edhe per audienca te perziera shqiptare e serbe? Cili ka qene reagimi?

Jody Barrett Në përgjithësi reagimi ishte mjaft i vështirë. Shfaqja e filmit ka qenë e hapur për publikun, pra, kemi vënë afishe lajmërimi nëpër mure dhe kushdo, qe ka dashur ta shihte, ka mundur të hyjë. Pra, në salla kishte njerëz të të gjitha bindjeve, që do të thotë se ishin të rezervuar. Ata shpreheshin se ishte ende herët për një dokumentar të tillë, se ishin të zhgënjyer që pala e tyre nuk ishte trajtuar si viktimë absolute e konfliktit dhe se edhe pala tjetër ishte përshkruar gjithashtu si viktimë. Kemi dëgjuar të njëjtat pretendime nga të gjitha palët që kërkonin të tregoheshin në një këndvështrim më pozitiv. Në disa zona, si Gjilan dhe Kamenicë, e kemi shfaqur filmin për grupe të përziera shikuesish, shqiptarë, serbë, roma etj. Në raste të tilla diskutantët ishin më të hapur.

Zëri i Amerikës A besoni ne bashkekzistencen ndermjet shqiptareve dhe serbeve?

Jody Barrett Mendoj se është e vetmja shpresë për rajonin dhe, jo vetëm për serbët e shqiptarët, por edhe për maqedonasit e shqiptarët, për myslimanët, serbët dhe kroatët e Bosnjës. Të gjithë duhet të gjejnë mënyrën për të jetuar bashkë. Një alternativë tjetër, as që duhet shqyrtuar. Është një proces tepër i gjatë. Shpesh për çdo hap para, bëhen dy hapa prapa, por kjo është e vetmja shpresë për të ardhmen, për të rinjtë e madje dhe për ata që nuk kanë lindur ende.

Zëri i Amerikës Ju keni kaluar relativisht mjaft kohe ne Kosove. Cfare problemesh keni vene re ne shoqerine kosovare ne pergjigjthesi?

Jody Barrett Nuk di nga t’ia filloj. Ekonomia është problem tepër i madh. Për sa kohë që njerëzit nuk arrijnë të nxjerrin jetesën dhe të kenë shpresë për të ardhmen, është tepër e vështirë të shkohet përpara. Problemi më i madh është bashkezistenca. Edhe çështjet politike janë tepër të rëndësishme. Deri sa të arrihen gjërat elementare: të jetosh në shtëpi pa patur frikë, të fitosh para të mjaftueshme për të ushqyer fëmijët, për t’i dërguar në shkollë, nuk mund ta hedhësh shikimin drejt së ardhmes.

Zëri i Amerikës Të flasim per nje moment ne aspektin individual dhe jo social: a keni zbuluar histori marrëdheniesh serbo-shqiptare, e kam fjalën ne nivel personal, individi.

Jody Barrett Nuk kam patur rastin të konstatoj këtë lloj bashkëpunimi. Kam dëgjuar tregime për ndihmë reciproke, por nuk kam qenë dëshmitare e ndonjë rasti të tillë. Gjatë kohës që kam qendruar, nga janari i vitit 2000 deri në verën e 2002-shit, ndarja ndërmjet komuniteteve ishte e plotë dhe nuk ekzistonin mundësi që njerëzit nga grupe të ndryshme etnike të kujdeseshin për njëri-tjetrin apo të kishin çfarëdo lloj marrëdhënieje dhe pikërisht kjo është arësyeja që më shtyu ta xhiroja dokumentarin. Kështu ata do të kenë shansin të shohin anën tjetër, kush jeton andej, me se merren, si jetojnë, ndoshta të kujtojnë e ndoshta të pranojnë se kanë diçka të përbashkët si qenie njerëzore.

Zëri i Amerikës Zonja Barrett, cila eshte forca e klases politike vendase per ta ndryshuar gjendjen? Cila do te ishte forca e bashkesise nderkombëtare per te ndikuar ne zgjidhjen e problemeve?

Jody Barrett Mendoj se kërkon përpjekje të përbashkëta të klasës politike dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Në Afrikën e Jugut pas Apartejdit kemi vënë re se sa i rëndësishëm është roli udhëheqës. Është thelbësore ekzistenca e udhëheqësve që janë në gjendje të bëjë thirrje për të harruar, për pajtim, të cilët japin shembullin si njerëz që shikojnë drejt së ardhmes në vend të hakmarrjes. Klasa politike, si tek shqiptarët, ashtu edhe tek serbët, duhet të përpiqet të ngrihet mbi nacionalizmin që i mban të mbërthyer. Edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të vazhdojë të jetë e angazhuar, pasi gjërat nuk realizohen vetvetiu.

Zëri i Amerikës Analistet po e quajne dhunen e marsit si nje kembane alarmi per te marre vendime, per te mos vazhduar me status quo-ne. Nje zgjidhje politike, si per shembull, percaktimi i statusit perfundimtar te Kosoves, a mendoni se do te kishte rezultat si nje formule per zgjidhjen e te gjitha problemeve?

Jody Barrett Nuk mendoj se ekziston një zgjidhje për të gjitha problemet. Sigurisht gjetja e një zgjidhjeje për çështjen nëse Kosova do të shpallet e pavarur, apo do të mbetet pjesë e Serbisë, është themelore për çdo konflikt në të ardhmen, por mendoj se, duke u përqendurar së tepërmi në çështjen e statusit, njerëzit po harrojnë se mund të arrihet përparim në aspektin social, ekonomik etj. para se të trajtohet një çështje e tillë. Dhe dhuna e marsit duhet të jetë një këmbanë alarmi veçanërisht për komunitetin shqiptar që të kuptojë se objektivat mund të arrihen vetëm duke punuar së bashku për të krijuar një mjedis të sigurtë për të gjithë qytetarët në Kosovë.

Zëri i Amerikës Ju e keni paraqitur filmin edhe ne vende te tjera te botes. Cili ka qene reagimi qe keni marre?

Jody Barrett Filmin e kanë parë qytetarë perëndimorë dhe imigrantë nga Ballkani. Reagimet kanë qenë të ndryshme. Perëndimorët ishin tepër të befasuar nga jeta në Kosovë. Ata mund të dallonin lehtë ngjashmëritë e paralelet në jetën e banorëve të Kosovës. Në film nuk shpjegohet asgjë mbi kuadrin historik apo entik në Kosovë, pasi synimi ishte të xhironim një film për kosovarët. Shikuesit nga perëndimi nuk arrinin të kuptonin se kush është shqiptar apo kush është serb. Fillimisht u shqetësova nga kjo, por pastaj e kuptova se kjo ishte diçka me të vërtetë pozitive, ishte vetë thelbi i filmit: pra, të tregonim se është fjala për katër të rinj dhe se përkatësia etnike nuk duhet të jetë e vetmja karakteristike e tyre. Dy janë vajza, dy djem; dy nxënës të shkollës së mesme, dy studentë universiteti; dy janë të shpërngulur, dy jetojnë ende në shtëpitë e tyre. Sipas meje, këto janë karakteristika shumë më të rëndësishme se kush është serb dhe kush është shqiptar. Dëshira ime e vetme është që shikuesit në Ballkan të jenë të gjendje t’i përceptojnë këto stereotipe ashtu si shikuesit në perëndim.//ii

XS
SM
MD
LG