Lidhje

Historiku i procesit të votimit në Shtetet e Bashkuara - 2004-11-01


Në prag të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, vëmendja është përqendruar tek mekanizmat e votimit në Amerikë. Në Washington është hapur një ekspozitë që tregon mënyrat se si teknologjia ka transformuar votimin. Në ekspozitë përfshihen fletë, kuti dhe makineri votimi që janë përdorur në zgjedhje që nga koha e themelimit të Shteteve të Bashkuara. Ekspozita është hapur në Institutin Smithsonian në Washington. Larry Bird që ka përgatitur ekspozitën, thotë se ajo pasqyron sesi amerikanët kanë përmirësuar dhe sjellë metoda të reja, në përpjekjet për të krijuar garancinë se çdo votë ka vlerën e saj.

“Kemi patur manipulime dhe sisteme me fletë të këqia votimi. Ka patur një kohë kur njerëzit e shprehnin votën duke ngritur dorën, ose duke folur para një gjykate. Por gjatë gjithë kohës njerëzit kanë dashur që çdo votë të ketë vlerën e saj. Në një demokraci, duhet të kesh një sistem, një mënyrë për të numëruar votat. Ne nuk jemi të përkryer, por një gjë të tillë kemi dashur ta realizojmë,” thotë zoti Bird.

Votimet nuk kanë qenë gjithmonë kaq të drejtpërdrejta. Kjo ekspozitë tregon se si procesi i votimit në Amerikë është dëmtuar herë pas here nga ngatërresat dhe mashtrimet.

“Të ashtu-quajturat fletë, ose bileta të partive janë të rëndësishme sepse kanë përgatitur terrenin për reformat e mëvonshme në sistemin e votimit. Është e qartë se fletë të tilla e lënë shtegun të hapur për të gjitha llojet e mashtrimeve dhe abuzimeve,” thotë zoti Bird.

Në vitet 1850, punonjësit e votimit të San Franciskos zbuluan se po përdoreshin kuti votimi fallso për të futur fshehtas fletë votimi të mbushura që më parë, së bashku me ato të ligjshmet. Por me kalimin e kohës, amerikanët arritën të krijonin metoda më të besueshme votimi. Në vitet 1960, gjysma e elektoratit përdorte makineri votimi, së bashku me perde në kabinën e votimit për të lejuar fshehtësinë e votuesit. Në shumë pjesë të vendit, makineritë u zëvendësuan në vitet 1980 me sisteme votimi me karta.

Shumë njerëz që vizitojnë këtë ekspozitë janë të interesuar për votimet presidenciale të Floridës në vitin 2000, ku kartat nuk ishin shtypur gjithmonë qartë. Këto vota shkaktuan probleme me numërimin, kur zyrtarëve të zgjedhjeve u duhej të interpretonin se për kë kishin patur ndër mend të votonin njerëzit. Kjo shkaktoi shtyrjen për disa javë të shpalljes së rezultateve. Pas kësaj, shumë amerikanë e vunë në diskutim procesin e votimit dhe u bënë reforma të thella zgjedhore. Organizatori i ekspozitës, Larry Bird thotë se që pas zgjedhjeve të vitit 2000, shumë zona të vendit zëvendësuan sistemin me karta me sisteme më të sigurta kompjuterike.

“Shumë sisteme që kemi tani janë të tilla që kanë një sisteme të tjera rezervë. Nëse voton me kompjuter, merr një kopje të shtypur të votës, nëse është votë e shtypur, është ruajtur e regjistruar edhe diku tjetër,” thotë zoti Bird.

Sot në Shtetet e Bashkuara nuk ka vetëm një teknologji votimi. Ka një kombinim të metodës kompjuterike, skanimit optik, kartës dhe makinerive. Organizatorët e ekspozitës thonë se duan që njerëzit ta kuptojnë se procesi i numërimit të votave, është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë votimi.

XS
SM
MD
LG