Lidhje

Sllobodan Millosheviç do të vetëmbrohet në Gjykatën e Hagës - 2004-11-01


Gjykata e apelit në gjykatën e Kombeve të Bashkuara për krime lufte në Hagë vendosi që ish presidenti jugosllav Slobodan Milosevic të lejohet të zhvillojë mbrojtjen e tij gjatë gjykimit për krime lufte, nëse do të jetë në gjendje të mirë shëndetsore. Po të shihet konkretisht, vendimi do të thotë se gjyqi i ish-udhëheqësit jugosllav do të ketë pak a shumë formën që kishte vitin e kaluar, para se gjykatësit të arrinin në përfundimin se gjendja e tij shëndetësore nuk ia lejonte që të vetëmbrohej dhe e detyroi që të kishte edhe avokatë.

Megjithëse gjykatësit e apelit nuk e ndryshuan këtë vendim, ata gjykuan se kufizimet që i ishin vendosur Sllobodan Millosheviçit kishin qenë të tepruara dhe e vendosnin atë në një rol dytësor në gjyqin e tij. Që kur u vendos që zoti Millosheviç të mbrohej nga avokatët, ai nuk ka mundur të marrë në pyetje dëshmitarë, para se avokatët të përfundojnë marrjen e tyre në pyetje, diçka që ai e ka kundërshtuar në parim.

Kjo ka shkaktuar një bojkotim masiv nga ana e dëshmitarëve, gjë që solli si pasojë dorëheqjen nga procesi të avokatëve të caktuar për mbrojtjen e zotit Millosheviç.

Judith Armatta, që ka ndjekur procesin në emër të Koalicionit për Drejtësi Ndërkombëtare, tha se vendimi i sotëm është një fitore për zotin Millosheviç, një kompromis zhgënjyes që në pamje të jashtme nuk hedh poshtë gjykatën, por lejon që procesi të vazhdojë me një të pandehur jashtëzakonisht sfidues: “Mendoj se gjykata po përpiqet të bëjë atë që bën gjithmonë, pra të zvarrisë procesin deri sa të vihet drejtësia në vend, megjithëse një drejtësi me defekte”- thotë zonja Armatta.

Avokatët e caktuar nga gjykata, do të marrin tani rol dytësor, duke ndërhyrë kur zoti Millosheviç nuk është në gjendje të marrë pjesë në gjyqin e tij, për shkak të problemeve shëndetësore. Do të jetë gjykata ajo që do ta përcaktojë, se kur do të veprohet kështu, si edhe nëse do të pranojë dorëheqjen e dy avokatëve me të cilët zoti Millosheviç nuk pranon të flasë. Mbetet të pritet deri kur të rifillojë procesi javën e ardhshme, për t’u marrë vesh nëse ish-udhëheqësi jugosllav do ta pranojë vendimin.

XS
SM
MD
LG