Lidhje

Reagime të udhëheqësve shqiptarë ndaj zgjedhjeve në SHBA - 2004-11-03


Autoritetet e Shqipërisë kanë pritur shpalljen e fituesit të zgjedhjeve presidemcisle në Shtetet e Bashkuara përpara se të prononcohen publikisht.

Menjëherë pas njoftimeve se senatori Kerry e pranoi humbjen, kryeministri Fatos Nano nëpërmjet zëdhënësit të tij ka përshëndetur përfundimin e zgjedhjeve dhe rikonfirmimin e presidentit Bush në Shtëpinë e Bardhë.

Sic dihet politika shqiptare është mjaft e ndjeshme për zhvillimet në Shtete e Bashkuara për vetë ndikimin që ato kanëe patur dhe kanë në rrjedhat e zhvillimeve të këtushme, por edhe për marrëdhëniet e krijuara për shkak të përkrahjes së Tirana i ka dhënë luftës në Irak.

Zgjedhjet në shtetet e Bashkuara dhe rezultati i tyre ishin sot gjatë gjithë ditës në qendër të vëmendjes. Shtypi dhe mediat televisive i kushtuan hapesira të gjera deri mbrëmë vonë dhe gjatë gjithe orëve të ditës së sotme është folur për rezultate dhe është ndjekur ecuria e tyre. Në një plan më të gjerë kjo më tepër në formën e një informacioni, kurioziteti apo mode politike sesa për shkak të interesave të drejtpërdrejta të publikut që mund të lidheshin me fitoren e njërit apo tjetrit kandidat.

Nga pikëpamja politike tashmë për të gjithë është e qartë se për atë që Shqipëria përfaqëson, qëndrimi amerikan ndaj saj nuk mund të ndryshojë dukshëm nga njëra administratë në tjetrën. Këtë e tregon edhe fakti se në dallim nga zgjedhjet e katër viteve më parë, kete here asnjë forcë politike këtu nuk u përpoq të bindte përfaqësuesit e saj se zgjedhja e njërit apo tjetrit kandidat mund të ndikonte në mbajtjen apo sjelljen në pushtet të kësaj apo asaj partie.

I vetmi element tërheqës që mund të ngjallte preferenca, mund të konsiderohej premtimi i senatorit Kerry për Kosovën dhe statusin e saj të ardhshëm. Edhe nga pikëpamja ekonomike Shqipëria nuk ka një treg të atillë për të cilin politikat demokrate apo republikane të mund të kenë ndikim. Në këtë aspekt vëmendja për zgjedhjet ka qenë e lidhur ngushtë me interesat personale të një pjese të biznesit dhe të agjentëve të këmbimit. I vetmi ndikim i drejtpërdrejtë i ekonomisë amerikane është kursi i monedhës së gjelbër. Ashtu si dhe në tregjet financiare dollari amerikan edhe këtu vazhdon të humbasë terren edhe ndaj lekut shqiptar.

Komentet e para megjithatë u bënë që gjatë paradites nga politikanë të ndryshëm të të gjitha krahëve të ftuar nga ambasada amerikane në Tiranë për të ndjekur drejtpërdrejt procesin e nxjerrjes së rezultatit. Pothuajse të gjithë kanë patur një shprehje të njejtë se mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve në shtetet e Bashkuara duhet të jetë një mësim për politikën shqiptare. Por fatkeqësisht, ky mbetet një leksion që u pëlqen të gjithëve ta shqiptojnë por që askush nuk dëshiron ta mësojë. Të paktën deri tani faktet kanë dëshmuar vetëm për këtë.

XS
SM
MD
LG