Lidhje

Merovci: sistemi zgjedhor në SHBA, i përsosur - 2004-11-04


Me grupin e politikanëve dhe specialistëve nga vendet e Evropës Lindore dhe nga Lindja e Mesme për të ndjekur zgjedhjet këtu në Shtetet e Bashkuara ndodhet edhe Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, zoti Adnan Merovci, i cili dha një intervistë për programin televiziv ”Ditari”.

Zëri i Amerikës: Zoti Merovci, zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara përkuan pak a shumë në të njëjtën kohë me zgjedhjet parlamentare në Kosovë, pra ju e keni shumë të freskët eksperiencën tuaj atje. Çfarë ju bëri përshtypje keni patur gjatë qëndrimit këtu në Shtetet e Bashkuara?

Adnan Merovci: Po ashtu siç thatë, zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara përkuan me ato Kosovës, megjithëse ne i mbaruam zgjedhjet atje dhe mbeti një vendim për t’i rinumëruar votat, rezultati i të cilave u prononcua, edhe pas rinumërimit. Unë isha i ftuar nga fondacioni IFES për një program në ditën e zgjedhjeve dhe vizituam disa vendvotime këtu në Shtetet e Bashkuara në shtetin e Virginias, në Aleksandri, morëm përvojë dhe pamë zi zhvillohen zgjedhjet. Kjo ishte një përvojë e mirë. Programi përfshinte një tryezë në të cilën u debatuan çështje shumë të rëndësishme për të ardhmen tonë. U diskutua për financat në fushatën zgjedhore dhe po ashtu edhe reformat në zgjedhjet 2004 në Amerikë, por kuptohet që ky ishte një rast shumë i mirë për të përfituar nga përvoja amerikane.

Zëri i Amerikës: Konkretisht, çfarë ju bëri më tepër përshtypje gjatë vrojtimit të zhvillimit të zgjedhjeve këtu në Shtetet e Bashkuara?

Adnan Merovci: Ajo që më bëri përshtypje është pjesëmarrja, pjesëmarrja shumë më e madhe se më parë dhe pjesëmarrja e të rinjve, gjë e cila ndoshta na mungoi ne në Kosovë. Siç mund ta dini, pjesëmarrja ishte diku rreth 53 për qind dhe duke e ditur gjendjen dhe statusin dhe në përgjithësi ecuritë që janë në Kosovë dhe në Amerikë, mendoj se ishte dashur të kishte një pjesëmarrje më të madhe. Sido që të jetë, mënyra e votimit dhe krejt korniza zgjedhore e zgjedhjeve në Amerikë, ku 50 shtete kanë 50 komisione zgjedhore dhe një komision federal, është centralizuar në një sistem me të vërtetë shumë të përsosur, për mendimin tim në vetë zgjedhjet.

Zëri i Amerikës Pikërisht për pjesëmarrjen në zgjedhjet në Kosovë, 50 për qind duket një shifër e ulët, duke patur parasysh që vitin e ardhshëm pritet të përcaktohet edhe statusi përfundimtar i Kosovës. Si shpjegohet kjo pjesëmarrje jo e lartë në votime?

Adnan Merovci: Unë mendoj se e veçanta e zgjedhjeve këtë herë në Kosovë ishte menaxhimi i tyre, që për herë të parë pas konfliktit u bë nga vendorët dhe mendoj që organizimi, ishte, nuk është modesti, por mund të them se ishte një organizim i mirë, për lakmi në regjion. Nuk pati eksese, gjithshka shkoi mirë, mbi 700 mijë njerëz dolën dhe votuan; në anën tjetër, e veçanta është se nga këto zgjedhje dalin insitucione që do të merren me çështje tepër të rëndësishme të Kosovës. Pjesëmarrja e vogël mund të shpjegohet me një abstenim të votuesve, që gjatë fushatës nuk panë ndonjë ardhmëri nga fjalori i liderëve tanë. Megjithatë, mendoj se edhe në këtë rast, në zgjedhje pati edhe disa parti të reja, të cilat morën disa vota. Në përgjithësi mendoj se e veçanta është se Kosova është një vend ku demonstrimi i demokracisë mund të shihet pikërisht në këtë rast dhe i takon shumicës ta bëjë edhe pakicën të jetë shumicë. Prandaj, krejt si proces është përmbyllur mirë dhe atë që unë mund të them si përgjegjës për menaxhimin e zgjedhjeve në Kosovë, ne liderëve tanë ua sollën standartin e parë në pjatë të gatshëm!

Zëri i Amerikës: Zgjedhjet në Kosovë patën një rëndësi të madhe për këto momente dhe komuniteti ndërkombëtar i vlerësoi ato si zgjedhje të drejta dhe demokratike. Megjithatë pati një lloj zhgënjimi për mospjesëmarrjen e duhur të serbëve në këto zgjedhje. Sa e ka dëmtuar bojkotimi i shumicës së serbëve imazhin e zgjedhjeve të Kosovës?

Zëri i Amerikës : Në fakt, nga vetë atributet që përmendëm, që zgjedhjet duhet të jenë demokratike, të lira, transparente, sipas standarteve ndërkombëtare, ekziston edhe një atribut shumë i rëndësishëm, që quhet gjithëpërfshirje dhe këtu mendohet përfshirja e bashkësive të ndryshme etnike. Ne bëmë të mundurën dhe të pamundurën që t’i involvojmë serbët dhe mund ta dini që ne futëm në listë dhe fletëvotim dy subjekte politike serbe. Ajo e rriti si me thënë besimin tonë dhe inkurajimin në përgjithësi që do të marrin pjesë, megjithatë një vendim politik ishte bojkotimi i tyre. Sido që të jetë, në përgjithësi, ne nuk mund të themi se gjithëpërfshirja nuk u arrit, së paku minimalisht, për arsye se patëm dy subjekte; patëm disa vota, fatkeqësisht pak, por vetë vendet e rezervuara do të ndahen dhe në se tani një subjekt do t’i ketë dy dhe një tjetër tetë, unë mendoj që ardhmëria ose ndikimi do të jetë në integrimin e serbëve dhe në programet e liderëve tanë dhe qeverisë tonë të ardhme që do të bëjë përkthimin e tyre dhe intgrimin nëpër institucione dhe komisione punuese; siç mund ta dini, do të fillojë dialogu dhe biseda për çështje edhe teknike dhe pse jo, edhe të statusit dhe mendoj që ardhmëria është në këto integrime të tyre në insitucinet tona, ashtu siç kanë qenë edhe deri tani.

Zëri i Amerikës Që nga lufta në Kosovë, atje janë zhvilluar katër herë zgjedhje, pra këto ishin zgjedhjet e katërta; megjithatë ishte hera e parë, që në organizimin e tyre, krahas me ndërkombëtarët morën pjesë edhe zyrtarët vendorë. A ishte ky faktori kryesor që përcaktoi suksesin e këtyre zgjedhjeve?

Adnan Merovci Në fakt, mund të thuhet edhe kështu siç thoni ju, sepse ne punuam dhe insistuam që institucionin e besueshmërisë ta rrisim, nëpërmjet informimit publik dhe mendoj se ishte një informim publik i drejtë, efikas dhe gjithpërfshirës; mund të jeni të dijeni, se në 1 mijë e 622 vendvotime ku ishin integruar edhe serbët në menaxhimin e vendvotimeve, nuk pati ndonjë ekses dhe pati pjesëmarrje të të gjithëve dhe mendoj që vetë pjesmarrja ose menaxhimi nga ana e vendorëve bëri që zgjedhjet të përfundojnë duke mos përmendur sukesin e zgjedhjeve të kaluara; ne dëshmuam se jemi për ardhmërinë, për integrimet tashmë në isntitucionet që do të dalin në këto zgjedhje.

XS
SM
MD
LG