Lidhje

Marrëdhëniet transatlantike pas fitores së presidentit Bush - 2004-11-04


Shumë nga analistët dhe qeveritë evropiane po ushqejnë shpresa se mandati i dytë i presidentit Bush do të sjellë një përmirësim të marrëdhënieve transatlantike. Këto marrëdhënie u dëmtuan pas vendimit të presidentit Bush për të ndërhyrë në Irak. Ish-këshilltari presidencial për çështjet e sigurimit kombëtar gjatë administratës së presidentit Karter, Zbignjev Brzhinski, në një intervistë për Zërin e Amerikës thekson se komentet nga të dyja anët e Altantikut nuk lënë shumë vend për optimizëm lidhur me mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve.

Zoti Brzhinksi thekson se problemet globale me të cilat ndeshen si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Evropa kërkojnë një bashkëpunim më të madh ndërmjet aleatëve perëndimorë, por ai shton se komentet e deritanishme nga të dyja anët e Atlantikut nuk lënë shumë vend për optimizëm:

Zoti Brzhinski thekson se megjithë shpresat e Evropës për ndryshime në qëndrimin amerikan ndaj marrëdhënieve transatlantike, administrata mund të vazhdojë t’i përmbahet qëndrimit të njëanshëm. "Mendoj se bota, në veçanti Evropa, ka të drejtë të presë një qëndrim më shumë-palësh, gjithë-përfshirës nga Shtetet e Bashkuara kundrejt zgjidhjes së problemeve që i ndesh jo vetëm Amerika, por edhe Evropa. Në fund të fundit mendoj se nëse shohim ato që kanë ndodhur në Lindjen e Mesme, është e qartë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të zgjidhin në mënyrë konstruktive problemet që hasin po të veprojnë të vetme. Por është vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Nuk mund të them nëse presidenti do ta interpretojë fitoren e tij si një mandat i ri për të vazhduar atë që ka bërë më parë, ose si një shenjë paralajmëruese se jo vetëm që Amerika është e përçarë, por edhe bota është e përçarë dhe nëse ai synon të jetë i efektshëm si udhëheqës, ai duhet të bëhet me të vërtetë forcë bashkuese jo përçarëse".

Zoti Brzezinski thekson se përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës kërkon angazhim nga të dyja anët e Atlantikut: "Evropianët duhet të braktisin qëndrimin ku ngjan sikur i thonë Amerikës: “Duhet të bësh atë që na shkon ne për shtat. Në realitet ne duam të angazhohemi në procesin e marrjes së vendimeve, por ju, amerikanët, duhet të mbani mbi supe zbatimin e këtyre vendimeve.” Ky qëndrim është i njëjtë me atë që mbajnë shumë zyrtarë në administratën e presidentit Bush ndaj Evropës. Ata thonë “Ne do të marrim vendimet, por evropianët duhet të mbajnë një pjesë të përgjegjësive.” Nëse do të angazhohemi seriozisht në një dialog transatlantik, dhe në veçanti në një dialog serioz strategjiki, cili mendoj se është i nevojshëm, si Shtetet e Bashkuara ashtu dhe Evropa duhet të mbajnë të njëjtin qëndrim ndaj kësaj çështjeje i cili kërkon një bashkëpunim në marrjen e vendimeve dhe një ndarje të përgjegjësive. Për fat të keq kancelari gjerman Gerhard Shroder dhe presidenti francez Shirak e kanë bërë shumë të qartë që më parë, disa herë me radhë, se presin nga Shtetet e Bashkuara të ndryshojë vendimet, por nuk duan të mbajnë vetë një pjesë të përgjegjësive. Ky qëndrim nuk është shumë bindës dhe nuk e ndihmon situatën", tha zoti Brzezinski.

Ish-këshilltari i sigurimit kombëtar thotë se komentet që kanë bërë publikisht politikanë evropianë, veçanërisht deklaratat e francezëve dhe gjermanë, si dhe nga komentet që janë bërë gjatë fushatës nuk lënë vend për shumë optimizëm. Por ai shton se ka shpresë që riorganizimi i administratës amerikane me fillimin e mandatit të ri mund të hapë një kapitull të ri në politikën e jashtme amerkane: "Shpresoj që logjika e shëndoshë do të triumfojë. Problemet e vështira mund të shërbejnë edhe për t’i bërë njerëzit më realistë. Gjithsesi do të shohim një drejtim të ri së shpejti, pra pas 2 apo 3 javësh, pasi ekipi i presidentit Bush do të riorganizohet, do të bëhen emërime të reja dhe do të jemi në gjendje të gjykojmë pas këtyre emërimeve nëse presidenti Bush në mandatin e dytë do të ndjekë të njëjtat politika si më parë ose nëse do të tregohet më i hapur dhe do të mbajë një qëndrim gjithë-përfshirës", tha zoti Brzezinski.

Shumë ekspertë parashikojnë se acarimet në marrëdhëniet transatlantike do të vazhdojnë, pavarësisht nga ndryshimet në administratën e re të presidentit Bush, pasi aleatët perëndimorë po përjetojnë një riorganizim të forcave dhe bashkëpunimit ndërmjet tyre në kushtet e reja të krijuara me përfundimin e Luftës së Ftohtë.

XS
SM
MD
LG