Lidhje

Serwer: politika amerikane për Ballkanin, e pandryshuar  - 2004-11-04


Një analist i çështjeve të Ballkanit thotë se me rizgjedhjen e Presidentit Bush, politika amerikane për Ballkanin do të jetë pak a shumë e njëjta. Daniel Serwer Drejtor i Projektit për Ballkanin në Institutin e Paqes, tha për Zërin e Amerikës, se sipas tij në diplomacinë amerikane është krijuar mendimi se brenda këtij mandati duhet të zgjidhet statusi përfundimtar i Kosovës.

Para zgjedhjeve analistët amerikanë në përgjithësi ishin shprehur se nëse zoti Kerry fitonte, administrata e tij do të ishte më e prirur drejt vetëvendosjes për Kosovën, por zoti Serwer thekson se edhe administrata aktuale është e interesuar për një zgjidhje të statusit.

Zoti Serwer thotë se Ballkani në fakt pothuajse nuk ishte çështje fare në fushatën për këto zgjedhje dhe se nuk pritet të ketë ndryshime në këtë drejtim. “Mendoj se përsa i përket Ballkanit, në përgjithësi politika amerikane do të mbetet pak a shumë e njëjta. Mënyra se si e interpretoj unë politikën amerikane, është se po bëhen përpjekje për ta përfunduar procesin e paqes në Ballkan me sa më pak angazhim të burimeve amerikane që të jetë e mundur dhe sa më shumë transferim të përgjegjësive tek evropianet që të jetë e mundur”.

Ai thotë se vetë Shtetet e Bashkuara do të jenë të kënaqura kur gjithnjë e më shumë vende të Ballkanit të hyjnë në Bashkimin Evropian.

Megjithatë sipas zotit Serwer, Shtetet e Bashkuara duhet të mbeten të angazhuara në disa çështje në Ballkan dhe njëra prej tyre është statusi përfundimtar i Kosovës. Ai beson se një ndryshim më i dukshëm do të kishte qenë nëse zgjidhej senatori Kerry. “Mendoj se po të ishte zgjedhur zoti Kerry mund të kishte patur ndonjë ndikim, pasi ai ishte më shumë në favor të vetëvendosjes së Kosovës, ndërsa Presidenti Bush është përpjekur ta shtynte marrjen e një vendimi. Por mendoj se ka një ndjesi në rritje në Shtetet e Bashkuara që gjatë këtij mandati, diçka duhet bërë për çështjen e statusit përfundimtar. Nuk e di se cila do të jetë zgjidhja dhe nuk besoj se amerikanët e dinë se cilat duhet të jetë zgjidhja për statusin përfundimtar, por mendoj se gjithnjë e më shumë po krijohet bindja se që të parandalohet dhuna e mëtejshme, duhet të merret një vendim gjatë këtij mandati”.

Zoti Serwer shprehu edhe qëndrimin e tij për qeverinë e ardhshme të Kosovës, pas zgjedhjeve të 23 tetorit. Diskutimet e atjeshme janë përqendruar tani tek fakti nëse partitë kryesore do të formojë koalicion, apo është koha që të krijohet një opozitë.

“Para së gjithash mendoj se vetë kosovarët duhet ta vendosin këtë, por preferenca ime personale do të ishte që të kishte qeveri dhe opozitë. Herën e parë kur u formua qeveria, komuniteti ndërkombëtar kërkoi me këmbëngulje që të të krijohej një koalicion i gjerë me tre partitë kryesore. Nuk besoj që komuniteti ndërkombëtar do ta bëjë, ose duhet ta bëjë këtë prapë, kjo varet nga kosovarët. Nëse ata dalin me një qeveri me koalicion të gjerë, por nuk besoj që ndërkombëtarët duhet të përjashtojnë mundësinë e një qeverie dhe opozite”, tha zoti Serwer.

Ai mendon se mund të krijohej një farë problemi në përfaqësimin e mëtejshëm në bisedime me Beogradin, duke qenë se jo të gjitha partitë do të ishin në qeveri. Por zoti Serwer ka besim se kjo mund të zgjidhet edhe duke pasur një qeveri dhe opozitë, pasi për çështjen e statusit përfundimtar ka një qëndrim të përbashkët.

Zoti Serwer mendon se qeveria e re e Kosovës, duhet të ketë shumë më tepër kompetenca, sesa ç’ka pasuar qeveria më parë. “Detyra e saj do të jetë të tregojnë se mund të qeverisin në mënyrë efektive, brenda normave evropiane. Dhe në këtë drejtim megjithëse flitet për standarde para statusit, ka vetëm një standard me rëndësi thelbësore që i zë rrugën statusit përfundimtar dhe besoj që ky është trajtimi i serbëve dhe pakicave të tjera. Dhe besoj se këtu duhet të ketë përmirësim dramatik, unë shoh disa përpjekje në këtë drejtim nga ana e kosovarëve, por të shohim se çdo të bëjë qeveria e re”. Sipas zotit Serwer, e vetmja mënyrë për të kundërshtuar qëndrimet e Beogradit për autonomi apo ndarje të Kosovës, do të ishte një liri e plotë dhe të drejta të plota për serbët e Kosovës.

XS
SM
MD
LG