Lidhje

Presidenti i ardhshëm i Komisionit Evropian njofton ndryshimet në listën e komisionerëve  - 2004-11-05


Presidenti i ardhshëm i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, njoftoi se ka bërë ndryshime në listën e komisionerëve dhe është gati të dalë para Parlamentit Evropian për të kërkuar miratimin e ekipit të tij.

Hoze Manuel Durao Barroso, ish kryeministri i Protugalisë i cili do të kryesojë Komisionin Evropian, priti gjithë ditën për vendimin e kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, se kë do të emëronte për të zëvendësuar Roko Butiljonen si kandidat për komisioner të Drejtësisë së Bashkimit. Komentet e zotit Butiljone se homoseksualizmi ishte mëkat u prit si fyerja nga liberalët dhe anëtarët majtistë të Parlamentit Evropian dhe megjithëse ai u zotua se do të mbronte të drejtat e homoseksualëve, ligjvënësit thanë se do të përdornin veton kundër ekipit të zotit Barroso nëse në të përfshihej edhe zoti Butilione. Zoti Butiljone tërhoqi kandidaturën e tij javën e kaluar dhe zoti Barroso bëri të njohur dje kandidatin e ri për atë post.

Kandidati i ri italian për postin e komisionerit të drejtësisë është Franko Fratini, i cili aktualisht shërben si ministër i jashtëm i Italisë. Ai është politikan me përvojë dhe i njeh shumë mirë institucionet evropiane.

Zoti Barroso tha gjithashtu se Lazlo Kovaksi i Hungarisë, i cili ishte kritikuar nga anëtarët e parlamentit si i papërgatitur për postin e komisionerit të Energjetikës, është emëruar si titullar i komisiariatit të taksave. Andris Piebalgs i Letonisë, i cili zëvendësoi bashkëatdhetaren Ingrida Udre, do të jetë komisioner i energjetikës. Të tre komisionerët e rinjë duhet të paraqiten para Parlamentit Evropian gjatë ditëve të ardhshme.

Këto ndryshime u bënë të ditura ndërkohë që udhëheqësit e bashkimit hapën një takim të nivelit të lartë për diskutime mbi mënyrën se si ta bëjnë ekonominë e bllokut më konkuruesen në botë dhe të harmonizojnë politikat e emigracionit. Bashkimi Evropian, i cili po shqyrton mundësinë e një roli më të madh në procesin e rindërtimit në Irak në përpjekje për të forcuar lidhjet me Shtetet e Bashkuara pas rizgjedhjes së Presidentit Bush, ka në plan të nxitë Uashingtonin që të angazhohet më shumë në përpjekjet për arritjen e paqes midis Izraelit dhe palestinezëve.

Ndërkohë, udhëheqësit e Bashkimit Evropian do t’i paraqesin sot kryeministrit irakian, Ijad Allaui, një paketë ndihmash për rindërtimin e vendit. Zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se paketa përfshin të paktën 21 milionë dollarë për financimin e zgjedhjeve irakiane, stërvitjen e forcave policore dhe ngritjen e një force të posaçme sigurimit të Kombeve të Bashkuara. //bsa//

XS
SM
MD
LG