Lidhje

Politika e jashtëme amerikane dhe synimet e presidentit Bush - 2004-11-06


Ndërsa administrata e presidentit Bush përgatitet për fillimin e mandatit të saj të dytë, mes sfidave kryesore të politikës së jashtme amerikane janë arritja e paqes në Lindjen e Mesme dhe sigurimi i demokracisë në Irak. Ndër çështje të tjera kryesore të politikës së jashtme amerikane janë edhe shqetësimet lidhur me prodhimin e armëve bërthamore nga Irani dhe Koreja e Veriut.

Një ditë pas shpalljes të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, një grup studjuesish të Insitutit Brookings analizuan disa prej çështjeve kryesore me të cilat do të përballet administrata e presidentit Bush në arenën ndërkombëtare.

Në krye të listës është synimi i presidentit Bush për vendosjen e demokracisë në Irak. Studjuesi me përvojë i institutit Brookings, Martin Indyk, i cili ka qenë dy herë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Izrael gjatë administratës së presidentit Clinton, thotë se zgjedhjet e planifikuara për t’u zhvilluar në Irak në muajin janar mund ta armiqësojnë popullsinë sunni të vendit, në se kushtet e sigurisë e bëjnë të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve në të ashtuquajturin trikëndësh Sunni, një rajon në qendër të Irakut. Por ai shton se vonimi i zgjedhjeve deri në stabilizimin e trikëndëshit Sunni rrezikon që në anën tjetër, të armiqësohen myslimanët shiitë që përbëjnë shumicën në Irak.

”Nuk kemi të bëjmë me një vendim të thjeshtë, por është një vendim që nuk mund të shmanget në vështrimin afatshkurtër. Mendoj se është shumë e rëndësishme, në këtë proces të kuptohet se zgjedhjet nuk janë të barazvlershme me demokracinë. Procesi i ndërtimit të demokracisë në Irak është njëlloj si procesi i ndërtimit të ushtrisë, forcave të afta policore irakiane, i cili do të kërkojë kohë. Dhe në se procesi shpejtohet artificialisht, kjo mund të shkaktojë keqësimin e kushteve, tashmë të vështira, me të cilat po përballemi aktualisht në Irak,” thotë analisti.

Një tjetër çështje që ambasadori Indyk parashikon se do të dominojë politikën e jashtme amerikane, është paqja në Lindjen e Mesme dhe e ardhmja e bisedimeve të paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, pa udhëheqësin palestinez Jaser Arafat. Ai thotë se çdo udhëheqës palestinez që do të zëvendësonte zotin Arafat, do të ketë nevojë për mbështetje më të fuqishme nga sa ka patur më parë nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Një tjetër problem shqetësues i rajonit është Irani dhe mundësia që Teherani të prodhojë armë bërthamore. Ambasadori Indyk thotë se adminsitrata e presidentit Bush është mbështetur tek Europa për t’u marrë me çështjen e Iranit, por tani, në mandatin e tij të dytë presidencial, thotë analisti, administrata amerikane përballet me dy zgjedhje:

”A duam që evropianët të marrin udhëheqjen në këtë proces, dhe si rrjedhim të ndiqet një qëndrim më i butë se sa po të udhëhiqte Amerika, pra do të arrihej një marrëveshje me iranianët. Amerikana nuk e do këtë zgjidhje. Ose a duhet që Shtetet e Bashkuara të angazhojnë Iranin për të ndalur programin e tij bërthamor.”

Një tjetër vend që paraqet kërcënim të menjëherhsëm për Shtetet e Bahskuara në fushën e bërthmore, është Koreja e Veriut, e cila dyshohet se ka armë bërthmore.

Studiuesi tjetër i Institutit Brookings, Richard Bush, tha se Shtetet e Bashkuara, Kina, Koreja e Jugut, Japonia dhe Rusia janë angazhuar në dialog me Korenë e Veriut në përpjekje për të zgjidhur krizën bërthamore. Analisti mendon se Pheniani aktualisht është i kënaqur që u rizgjodh presidenti Bush, për shkak të mosmarrëveshjeve që ekzistojnë midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre mbi mënyrën e negocimit për problemin e Koresë së Veriut.

”Kjo mund të duket diçka e çuditshme, për arsye se Koreja e Veriut është cilësuar si vend i boshtit të së keqes nga Presidenti Bush. Por qëndrimi ynë i prerë lidhur me bisedimet 6-palëshe na ka veçuar ne amerikanët nga miqtë dhe nga disa prej aleatëve tanë,” thotë analisti.

Zoti Richard Bush thotë se Kina ka shprehur pakënaqësi ndaj qëndrimit amerikan për Korenë e Veriut; por ai shton se udhëheqja kineze është në përgjithësi e kënaqur me rizgjedhjen e presidentit Bush, për arsye se administrata e tij e ka lejuar Kinën ta zgjerojë ndikimin e saj në Azi, me pak lëshime diplomatike.

Koreja e Jugut është një tjetër vend aziatik që e ka kritikuar politikën e administratës ndaj Koresë së Veriut, duke thënë se Washingtoni po tregohet tepër i ngurtë në këtë politikë. Analisti i Institutit Brookings mendon se Seuli do të vëzhgojë me kujdes për të parë nëse do të largohet apo jo nga administrata sekretari Powell, i cili, sipas analistit, shihet në Korenë e Jugut si zëri i arsyes për këtë çështje.//ii

XS
SM
MD
LG