Lidhje

Biznesmeni Bexhet Pacolli, në Kabul për të kërkuar lirimin e gruas nga Kosova  - 2004-11-07


Në Afganistan, grupi i ekstremistëve që mban peng tre punonjësit e Kombeve të Bashkuara thotë se i ka dhënë qeverisë një listë prej 26 të burgosurish talebanë, të cilët do t’i këmbejë me pengjet. Deklarata u bë sot nga një person, i cili tha se ishte zëdhënësi i grupit të quajtur Ushtria e Myslimanëve. Qeveria ka refuzuar të konfirmojë nëse janë zhvilluar negociata me rrëmbyesit.

Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara bëri thirrje për lirimin e tre punonjësve të marrë peng. Në përgjigje të njoftimeve se pengjet janë keq me shëndet, Manoel de Almeida e Silva tha:

“Njerëzit që mbajnë peng tre kolegët tanë i kanë thënë shtypit se ata nuk janë mirë me shëndet. Në qoftë se kjo është e vërtetë, atëherë përgjigja më e mirë për nevojën e tyre për trajtim mjekësor është lirimi i tyre.”

Annetta Flanigan nga Irlanda e Veriut, Angelito Nayan nga Filipinet dhe Shqipe Habibi nga Kosova u rrëmbyen me 28 tetor ndërsa ktheheshin në venbdqëndrimin e tyre pas numërimit të votave gjatë zgjedhjeve presidenciale të Afganistanit.

Ky është rrëmbimi i parë i të huajve në Kabul që nga koha kur u rrëzua Talebani në vitin 2001.

Shefqet Pacolli, biznesmen i njohur me origjinë nga Kosova, i afërm i Shqipe Habibit tha:

“Unë kam ardhur ta ndjek situatën nga Kabuli, t’i dëgjoj të gjithë dhe të shoh çdo mundësi. Shpresoj se do të kthehem së bashku me të. Kam vendosur të rri në Kabul deri sa kjo të marrë fund.”

“Shqipja është myslimane dhe tani është muaji i Ramazanit. Nëse ata janë myslimanë dhe nëse besojnë në Zot, atëherë ata duhet ta lirojnë Shqipen,” tha zoti Pacolli.

Ekstremistët që kërcënojnë t’i vrasin pengjet thanë se zyrtarë afganë dhe të Kombeve të Bashkuara u takuan sot me ndërmjetës në jug të Afganistanit dhe lanë të kuptohet se lirimi i tyre mund të negociohet para fundit të ditës.

Sadir Momin, zëdhënës i ekstremistëve, tha se zyrtarë të Kombeve të Bashkuara dhe të qeverisë, u takuan në një vend sekret me dy biznesmenë që flisnin në emër të rrëmbyesve.

Ai tha se bisedimet mund të vazhdojnë deri nesër nëse do të mund të gjendet një zgjidhje, por thëniet e tij nuk janë verifikuar. Autoritetet nuk kanë konfirmuar ndonjë kontakt me Jaish al-Muslimeen, një grup taleban që kërkon tërheqjen e Kombeve të Bashkuara nga Afganistani dhe lirimin e të burgosurve talebanë në këmbim të pengjeve.

Kombet e Bashkuara shprehën shqetësimin e tyre për shëndetin e tre pengjeve dhe bënë thirrje së bashku me presidentin Hamid Karzai për lirimin e tyre. Ekstremistët kanë bërë publike një video-kasetë e cial shtoi shqetësimet se ata mund të ndjekin shembullin e kryengritësve irakianë.

XS
SM
MD
LG