Lidhje

Vlerat morale, shqetësimi kryesor i votuesve amerikan  - 2004-11-08


Një nga rezultatet më të papritura në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në Amerikë ishte numri i votuesve që cituan vlerat morale si çështjen kryesore në fushatë.

Për muaj me radhë, ekspertët politikë parashikuan se zgjedhjet e këtij viti do të vareshin nga tre çështjet kryesore, Iraku, lufta kundër terrorizmit dhe ekonomia.

Por anketat treguan se njerëzit cituan vlerat morale si shqetësimin e tyre kryesor. 22 përqind e të anketuarve zgjodhën çështjet morale si më të rëndësishmet krahasuar me 20 përqind të atyre që përmendën ekonominë dhe 19 përqind terrorizmin.

Nga ata që përmendën vlerat morale si çështjen themelore, 80 përqind votuan për presidentin Bush. Për votuesit që thanë se ekonomia ishte shqetësimi i tyre kryesor, 80 përqind votuan për senatorin John Kerry.

Republikanët thanë se përqëndrimi në vlerat morale ishte pjesë e planit të tyre për fitore. Kryetari i Partisë Republikane, Ed Gillespie. " Kam thënë që në fillim se këto zgjedhje do të vendoseshin nga çështjet e sigurimit kombëtar, ekonomia dhe vlerat tona të përbashkëta. Dhe kështu doli. 22 përqind e votuesve thanë se vlerat ishin më shqetësuese kur hodhën votat", tha zoti Gillespie.

Ekspertët politik panë formimin e një rryme të re në zgjedhjet e fundit që tenton ti ndajë amerikanët në votues besimtarë dhe jobesimtarë.

Stephen Wayne ka shkruar rreth historisë së zgjedhjeve elektorale në Universitetin Georgetown në Washington.

"Mënyra sesi funksionon është se sa më shpesh të shkosh në kishë apo sinagogë, aq më shumë ka të ngjarë të votosh për republikanët. Sa më rrallë të shkosh në kishë apo të mos shkosh asnjëherë, aq më shumë ka të ngjarë të votosh për demokratët. Duket qartë se njerëzit që besojnë janë më të shumtë në kampin republikan dhe ata me programin e tyre tërheqin këtë grup votuesish".

Presidenti Bush tha se është mirënjohës për përkrahjen e votuesve besimtarë. Por ai nënvlerëson nocionin se rezultati i zgjedhjeve tregon një rritje të ndarjes fetare në vend.

"Unë do të jem presidenti juaj pavarësisht se kujt besimi i përkisni dhe nuk pres që të bini dakort me mua përsa i përket fesë. Në fakt, asnjë president nuk duhet të përpiqet të imponojë fenë në shoqërinë tonë", tha presidenti.

Votuesit e shqetësuar rreth vlerave morale cituan çështje si aborti apo martesat e homoseksualëve. Votuesit në 11 shtete miratuan ndalimin e martesave të tilla ditën e zgjedhjeve dhe shumë ekspertë besojnë se një debat kombëtar mbi këtë çështje i tha shtytje konservatorëve të votonin për presidentin.

Gjatë fushatës kandidati demokrat për president John Kerry ishte vizitor i përhershëm në kishat e afrikano-amerikanëve ku ai citoi pasazhe nga Bibla dhe u përpoq të siguronte votuesit besimtarë se ai ndante të njëjta shqetësime morale. "Çfarë kuptimi ka, vëllezërit e mi, të thuash se beson kur nuk vepron? Besimi pa e vënë në shërbim", është i kotë, tha senatori.

Por strategët politikë demokrat si Paul Begala pranojnë se partia e tyre nënvlerësoi ndikimin e fesë dhe vlerave morale në zgjedhje.

"Demokratët, partia ime, duhet të bëj një punë më të mirë për të respektuar vlerat kulturore të njerëzve dhe të krijojë lidhje me ta", thotë zoti Begala.

Guvernatori i Pensilvanisë dhe ish kryetari i partisë demokrate Ed Rendell thotë se demokratët duhet të përshtasin strategjinë e tyre ose të përballen me rezikun e humbjeve të tjera në zgjedhjet e ardhëshme.

"Duhet të punojmë më shumë për vlerat familjare dhe jo thjesht për ato morale. Nuk e provuam veten aq mirë pasi nuk folën shumë për vlerat në familje, për rëndësinë e kujdesit për fëmijët për nënat që punojnë dhe për kujdesin shëndetësor", thotë zoti Rendell.

Shumë demokratë thonë se kjo fitore e presidentit në zgjedhje mund të çojë në përpjekje më këmbëngulëse të republikanëve për të imponuar vlerat morale dhe fetare në politikat qeveritare. Por ata pranojnë gjithashtu se duhet të gjejnë mënyra të reja për t’u bashkuar me të paktën disa votues që kanë në qendër vlerat morale në mënyrë që të konkurojnë më me sukses ndaj republikanëve në zgjedhjet e ardhshme kombëtare.

XS
SM
MD
LG