Lidhje

Ramush Haradinaj takohet me përfaqësues të Gjykatës së Hagës  - 2004-11-10


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u intervistua sot në Prishtinë nga përfaqësues të Gjykatës së Hagës, pohoi pas takimit se disa çështje kanë mbetur të pazgjidhura, dhe se për to, "do të jetë e nevojshme që diskutimet e mëtejshme" midis tij dhe përfaqësuesve të Gjykatës të vazhdojnë më vonë. Pa dhënë hollësi, zoti Haradinaj, pohon se diskutimet midis tij dhe përfaqësuesve të Gjykatës janë “ende të kufizuara në çështjet paraprake dhe proceduale”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u takua sot me përfaqësuesit e Gjykatës të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, deklaroi pas takimit, se kishte kërkuar sqarimin e një sërë çështjeve, përfshi edhe natyrën e procedurave që ndiqen nga Gjykata.

Zoti Haradinaj, i cili doli me një deklaratë për shtyp pas takimit disa orësh me përfaqësuesit e Gjykatës së Hagës, konfirmoi se kishte ngritur “një sërë pyetjesh rreth rolit të kryeprokurores, Karla Del Ponte” dhe kishte shprehur “shqetësim të thellë për vërejtjet e saj, të parashtruara të mërkurën e kaluar para Këshillit të NATO-s”, në të njëjtën ditë kur zyrtarë të saj kishin vizituar zotin Haradinaj.

Zoti Haradinaj, tha gjithashtu se zyrtarët e Hagës kishin ndihmuar shumë duke iu përgjigjur pyetjeve të tij dhe duke ndarë me të, siç thotë ai, shqetësimet e tij. Kryetari i AAK-së pohon gjithashtu se ka dhënë mendimin e tij për çështje të caktuara, por megjithatë, siç vë në dukje vetë zoti Haradinaj, kanë mbetur disa çështje të pazgjidhura, “për të cilat do të jetë e nevojshme që diskutimet e mëtejshme midis tyre të vazhdojnë më vonë”. Pa dhënë hollësi, zoti Haradinaj, pohon se diskutimet midis tij dhe përfaqësuesve të Gjykatës janë “ende të kufizuara në çështjet paraprake dhe procedurale”.

Zoti Haradinaj pohon gjithashtu se për këtë çështje ka informuar presidentin Rugova, kryeministrin Rexhepi, kryetarin e Parlamentit Daci dhe udhëheqësit e tjerë të partive politike, të cilëve u ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që i kanë dhënë.

Kryetari i AAK-së nënvizon se udhëheqësit politikë dhe institucionalë të Kosovës duhet të mbeten të bashkuar për t'u ballafaquar me sfida të mëdha individuale dhe kolektive, në rrugën drejt Kosovës së lirë, të pavarur dhe tërësisht demokratike, për t’i shërbyer kështu popullit të Kosovës.

Zoti Haradinaj është intervistuar nga përfaqësuesit e Gjykatës të Hagës, në lidhje me zhvillime të viteve 1998-1999. Intervista është bërë në selinë e UNMIK-ut në Prishtinë, ku gjendet një përfaqësi e Gjykatës së Hagës.

Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, Sorren-Jessen Petersen, u takua dje në Hagë me kryeprokuroren Karla Del Ponte, por asnjëri prej tyre nuk ka bërë ndonjë koment pas takimit.// lk //

XS
SM
MD
LG