Lidhje

Shërbimi sekret shqiptar mohon të ketë përgjuar kryeministrin - 2004-11-10


Në Shqipëri shërbimi sekret deklaroi sot se përgjimi i bisedës mes kryeministrit Fatos Nano dhe zotit Fehmi Abdiu i lexuar dy ditë më parë në parlament nga deputeti Nikollë Lesi nuk është kryer nga ky institucion. Nënkryetari i Shërbimit Informativ shqiptar Ylli Alushi tha sot pasdite se asnjë dokument i tillë nuk ka qenë dhe nuk ndodhet në arkivat e shërbimit sekret. Po sot, kryeministri Fatos Nano i ka kërkuar prokurorit të Përgjithshëm nisjen e hetimeve, ndërsa opozita kërkon ngritjen e një komisioni parlamentar për këtë çështje.

Vazhdojnë polemikat rreth dokumentit të lexuar në parlament nga deputeti Nikollë Lesi lidhur me përgjimin e një bisede të zhvilluar në vitin 1997 mes kryeministrit Fatos Nano dhe kryetarit të atëhershëm të Komisionit të Ligjeve Fehmi Abdiu që i implikon ata në një trafik armësh dhe ndryshimin e një ligji për lehtesimin e këtij trafiku.

Deputeti Lesi kishte deklaruar në parlament se dokumenti që ai dispononte gjendej në arkivat e shërbimit sekret shqiptar dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Por sot, Nënkryetari i Shërbimit Informativ Ylli Alushi tha se pretendimi se ai dokument është një incizim i transkriptuar nga ky institucion është i pavërtetë: "Deklarojmë zyrtarisht dhe me përgjegjësi ligjore se asnjë kopje e dokumentit në fjalë nuk ka qenë dhe nuk ndodhet në Shish. Pretendimi se Shish ka marrë kasetën e inçizuar nga të tretë dhe e ka transkriptuar atë është i pavërtetë. Shish nuk mund të pranojë dokumente të paligjshme apo që janë produkt i një veprimtarie të paligjshme, siç janë përgjimet nga struktura të paautorizuara. Ai zbardh vetëm materiale të siguruara në mënyrë ligjore nga strukturat e tij dhe mbi bazën e miratimeve përkatëse".

Sipas zotit Alushi “asnjëherë dhe në asnjë rast kryeministri, deputetë apo persona të tjerë me imunitet nuk janë vënë në kontroll të këtij institucioni”. Ai saktësoi se “dokumenti i publikuar nuk është në formatin që përdor Shërbimi Informativ shqiptar”.

Por sot Partia Demokratike kishte denoncuar trysninë, që sipas saj po bëhet mbi Prokurorinë e Përgjithshme dhe Shërbimin Sekret për manipulimin dhe zhdukjen e të gjitha provave që lidhen me këtë çështje. Sipas saj, trysni po ushtrohet edhe ndaj drejtorisë së burgjeve, pasi shefi i asaj kohe i komisariatit të Kuçovës Sokol Kociu, i cili rezulton të jetë personi që ka transkriptuar bisedën e përgjuar, ndodhet i burgosur, pasi është dënuar për trafik ndërkombëtar të drogës.

Opozita duket qartë se nuk ka besim te Prokuroria e Përgjithshme, prandaj ka mbështetur kërkesën e deputetit Lesi për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Nga ana e tij, po sot, kryeministri Fatos Nano njoftoi se i ka dërguar një letër prokurorit të Përgjithshëm, me qëllim “nisjen e hetimve mbi të gjitha deklarimet e deputetit Lesi, lidhur me përmbajtjen dhe rrethanat e tjera që kanë të bëjnë me thëniet dhe materialet e bëra publike”.

Sipas kryeministrit, “kryerja në kohë dhe me profesionalizëm i hetimeve do të përbëjë një kontribut të mirëpritur dhe të kërkuar ligjërisht në funksion të zbardhjes të së vërtetës për të gjitha argumentet dhe implikimet që pretendohen në deklarimet e kryera nga deputeti Lesi”.

XS
SM
MD
LG