Lidhje

Takim në Shtëpinë e Bardhë i presidentit Bush me kryeministrin britanik, Tony Blair - 2004-11-12


Presidenti Bush dhe kryeministri britanik, Tony Blair thanë se ekziston një shans i ri për paqe në Lindjen e Mesme, pas vdekjes së udhëheqësit palestinez, Jaser Arafat. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, vetëm disa orë pas varrimit të zotit Arafat në Bregun Perëndimor, të dy udhëheqësit u zotuan të mbështesin zgjedhjet për një udhëheqës të ri palestinez.

Kryeministri Blair tha se takimi me presidentin Bush zhvillohet në një kohë vendimtare për të rigjallëruar përpjekjet në kërkim të paqes në Lindjen e Mesme.

Të dy udhëheqësit i shprehën përsëri ngushëllimet e tyre popullit palestinez për vdekjen e zotit Arafat, madje presidenti Bush tha se tani ekziston një mundësi e re për të bërë përparim drejt një paqeje të qëndrueshme.

“Ne mezi presim të punojmë me një udhëheqje palestineze, e angazhuar për të luftuar terrorin, e angazhuar për çështjen e reformave demokratike. Ne do të mobilizojmë komunitetin ndërkombëtar për të ndihmuar në rigjallërimin e ekonomisë palestineze, për të ngritur institucionet palestineze të sigurimit që të luftojnë terrorizmin, për të ndihmuar qeverinë palestineze të luftojë korrupsionin dhe për të reformuar sistemin politik palestinez dhe për të ndërtuar institucione demokratike.”

Presidenti Bush tha se është i angazhuar në suksesin e zgjedhjeve për një president të ri palestinez dhe është gati ta mbështesë këtë proces.

Kryeministri Blair tha se megjithë që komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm për të ndihmuar, paqja do të vendoset vetëm kur palerstinezët të jenë të lirë të zgjedhin udhëheqësit e tyre.

“Ne do të bëjmë ç’është e mundur që të krijojmë mbështetjen e duhur për këtë koncept, do të sqarojmë të gjitha hollësitë dhe të sigurohemi që mund të bëhet realitet. Megjithatë në fund të fundit, në se duam të sigurojmë Izraelin, në se duam një shtet funksional palestinez, dy shtete që jetojnë krah për krah njeri tjetrit, shtete demokratike, atëhere në muajt e ardhshëm ne kemi mundësinë që me zgjedhjet për një udhëheqës të ri palestinez të sigurojmë arritjen e parë.”

Presidenti Bush tha se ai dhe kryeministri britanik do të punojnë gjithashtu me udhëheqësit izraelitë e ata palestinezë që të përfundojnë planin e tërheqjes izraelite nga Gaza dhe nga pjesë të Bregut Perëndimor. Vendbanimet hebraike në këto zona janë bërë pengesë për bisedime të mëtejshme.

Të dy udhëheqësit iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve pas takimit të tyre një orësh sot në Shtëpinë e Bardhë dhe një darke prej 2 orë e gjysëm mbrëmë.

Kryeministri Blair tha se paqja në Lindjen e Mesme duhet të jetë përparësia kryesore e komunitetit ndërkombëtar. Ai shpreson ta bindë presidentin Bush që të angazhohet më shumë në këtë proces, pas vdekjes së zotit Arafat, me të cilin zoti Bush nuk pranoi të takohej sepse thoshte se ai ishte pengesë për paqen.

Ndërkohë që tani për tani presidenti nuk ka caktuar një përfaqësues të posaçëm për procesin e paqes, ashtu siç është folur, zoti Bush tha se do të shpenzojë “kapitalin politik të Shteteve të Bashkuara” për të çuar përpara procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Ai shtoi se shpreson të shikojë një shtet të pavarur palestinez para përfundimit të mandatit të tij të dytë 4-vjeçar.

“Ne duam një shtet demokratik, të pavarur dhe funksional për popullin palestinez. Ne jemi të angazhuar për sigurimin e Izraelit si një shtet hebraik. Këto objektiva: dy shtete që jetojnë krah për krah njeri tjetrit në paqe dhe siguri, mund të arrihen vetëm nëpërmjet një rruge: rruga e demokracisë, e reformave dhe e shtetit ligjor.”

Presidenti Bush dhe kryeministri Blair diskutuan gjithashtu rreth luftës në Irak, zgjedhjeve në Afganistan dhe përpjekjeve evropiane për të ndalur programin bërthamor të Iranit. Zoti Bush tha se shpreson ta forcojë bashkëpunimin mes Amerikës dhe Evropës gjatë mandatit të tij të dytë. Ai shtoi se do të vizitojë Evropën pak pas përurimit të tij për mandatin e dytë në 20 janar.

XS
SM
MD
LG