Lidhje

Lindja e Mesme pas Jaser Arafatit - 2004-11-12


Jaser Arafati ishte i vetmi udhëheqës që shumë palestinezë kanë njohur në jetën e tyre; prandaj vazhdimisht këto ditë është shtruar pyetja, se çfarë ndikimi mund të ketë vdekja e tij mbi të ardhmen e popullit palestinez:

"Tani është e rëndësishme të fuqizojmë procesin e paqes pasi palestinezët po vuajnë, ndërkohë që edhe izraelitët vuajnë nga sulmet terroriste."- thotë kryeministri britanik Tony Blair.

Kryeministri Blair i bëri këto komente para se të vinte në Washington për takime me presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se qëllimi kryesor është të rigjallërohet procesi izraelito-palestinez i paqes. Presidenti Bush bëri një deklaratë ku shprehte shpresën se njerëzit në rajon dhe në botë do të punojnë për realizimin e vizionit për një shtet të pavarur palestinez që të ekzistojë në paqe përkrah Izraelit. Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Natos Jaap de Hoop Scheffer të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Bush tha se tani ka shanse që ky vizion të bëhet realitet:

"Tani ka hapësirë për paqe, kur udhëheqja palestineze të angazhohet për të ndërtuar një shoqëri të lirë dhe demokratike. Dhe pas kësaj mendoj unë, pasi të gjithë njerëzit duan të jetojnë në liri, Shtetet e Bashkuara do të tregohen më të gatshme për të ndihmuar për ndërtimin e institucioneve të një shoqërie të lirë në mënyrë që palestinezët të kenë shtetin e tyre.-thotë presidenti Bush".

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i bëri thirje popullit palestinez të punojë për arritjen e këtij qëllimi, i cili ishte shumë i rëndësishëm për zotin Arafat:

"Mendoj se trashëgimia më e mirë që mund të marrë populli i tij nga zoti Arafat është të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe paqësore me komunitetin ndërkombëtar dhe qeverinë e popullin izraelit për ta bërë realitet ëndrrën e ekzistencës së dy shteteve që ekzistojnë në paqe përkrah njëri-tjetrit."- thotë zoti Annan.

Ministri i Jashtëm izraelit Silvan Shalom u shpreh me optimizëm:

"Kjo është një periudhë historike. Ne jemi në prag të një epoke të re për Lindjen e Mesme, e cila mbart mundësinë dhe shpresën për ndryshime të qenësishme pozitive. Shpresojmë se me përfundimin e epokës së Arafatit do të përfundojë edhe epoka e terrorit."- thotë zoti Shalom.

Ish ambasadori Filip Wicox drejton Fondacionin për Paqe në Lindjen e Mesme me qendër në Washington:

"Bllokimi i procesit të paqes nuk ndodhi për faj të zotit Arafat. Ai kontribuoi në këtë drejtim. Të njëjtën gjë bënë edhe izraelitët. Në fakt edhe amerikanët kontribuan në këtë drejtim. Megjithatë, largimi i tij nga skena krijon mundësi për ringjalljen e procesit të paqes."- thotë zoti Wicox.

Martin Indyk ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Izrael:

"Ky moment është me të vërtetë një shans i ri. Jo thjesht një dritare, por një portë e hapur. Vitet e fundit Arafati ishte shndërruar në një pengesë për procesin e paqes. Me largimin e tij, nëse vendoset një udhëheqje palestineze e përgjegjshme dhe e aftë, do të ketë shanse të vërteta për përparim drejt një marrëveshjeje për paqe gjatë 3-4 vjetëve të ardhshëm."-thotë zoti Indyk.

Zoti Indyk shton se rëndësi në këtë proces do të kenë edhe hapat që do të ndërmarrë kryeministri izraelit Sharon. Ka të ngjarë, shton ai, që këto hapa të ndikohen nga veprimet e presidentit Bush.

Amjad Atallah, këshilltar i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, thotë se veprimet e presidentit Bush mund të sjellin një ndryshim të vërtetë:

"Tani presidenti Bush ka rastin të ndryshojë Lindjen e Mesme në mënyrë më rrënjësore, krahasuar me ndryshimet që mund të sjellë lufta në Afganistan apo Irak. Me eliminimin e konfliktit izraelito-palestinez nga lista e shqetësimeve, urrejtjes dhe zemërimit që ndjejnë bota arabe dhe ajo myslimane, ai do të arrijë sukses më të madh në shërbim të interesave amerikane të sigurimit se sa nga të gjitha veprimet e tjera të ndërmarra deri tani,"- thotë zoti Atallah.

Palestinezët i dhanë sot lamtumirën e fundit udhëheqësit të tyre dhe shumica e analistëve pohojnë se ky moment shënon fillimin e një kapitulli të ri në Lindjen e Mesme.// lk //

XS
SM
MD
LG