Lidhje

A është i justifikuar ankthi i konsumatorëve për çmimet e naftës? - 2004-11-13


Çmimet e naftës në botë janë rritur në mënyrë dramatike. Me afrimin e dimrit në hemisferën veriore, po shtohen shqetësimet për rritjen e çmimit të lëndës djegie për ngrohje. Disa ekonomistë e konsiderojnë këtë rritje çmimesh si një fenomen të përkohshëm, por ka nga ata që mendojnë se gjendja do të keqësohet edhe më tej.

Ka shumë shpjegime për rritjen e çmimeve të energjisë, por thuajse të gjitha kanë të bëjnë pjesërisht me rritjen e kërkesës në dy tregje aziatike në zhvillim: India dhe Kina. Në të njëjtën kohë, kërkesa për karburant vazhdon të rritet edhe në Shtetet e Bashkuara.

Por nuk ka pasur rritje të ndjeshme në prodhimin e naftës për të përballuar kërkesat. Trazirat politike në disa prej rajoneve naftëmbajtëse, si dhe lufta në Irak, kanë ngjallur shqetësime për ndërprerjen e furnizimeve.

Kësaj i shtohen edhe shqetësimet e shprehura nga disa vëzhgues të industrisë të naftës, të cilët besojnë se prodhimi i naftës do të arrijë së shpejti pikën kulmore, pa mundësi për rritje të mëtejshme.

Bankieri nga Hustoni Mat Simmons, i cili ka punuar 30 vjet në këtë industri është një nga këta vëzhgues: "Jam i bindur se kemi arritur një nivel nga ku është vështirë të sigurojmë rritje të mëtejshme në furnizime, ndërkohë që kërkesa po shtohet jashtë kontrollit".

Megjithëse janë bërë disa përparime në burimet alternative të energjisë, si në energjinë e erës, atë diellore dhe biomasën, zoti Simons thotë se asgjë nuk ka arritur në shkallën sa të zëvendësojë naftën: "Nuk kemi një rrugëdalje. Nuk kemi gjetur asnjë zgjidhje se si të veprojmë në këtë botë ku çdo gjë është ndërtuar për të konsumuar gjithnjë e më shumë energji të parigjenerueshme. Kur të vijë ajo ditë bota do të detyrohet të mbijetojë vitin e ardhshëm me 98 për qind të lëndës djegëse që konsumoi sivjet, dhe pas dy vjetësh vetëm me 95 për qind të kësaj sasie. Si do t’ia bëjmë në këtë rast? Asnjë nga ne nuk e di."

Shumë analistë të tjerë nuk janë të bindur nga paralajmërimi se prodhimi i naftës po arrin pikën kulmore. Amy Jaffe e Universitetit Rice studion sektorin energjitik: "Këta njerëz po tregohen të papërgjegjshëm, pasi po i frikësojnë njerëzit. Para disa vjetësh thanë se në Rusi po arrihej niveli maksimal i prodhimit, por tani e kemi kuptuar se rezervat atje janë shumë më të mëdha se sa mendohej fillimisht."

Por disa nga kolegët e zonjës Jaffe janë në mëdyshje. Richard Smalley, i cili morin Çmimin Nobel në Kimi në vitin 1996, po e ndjek me vëmendje diskutimin mbi nivelin maksimal të prodhimit: "Argumenti për arritjen e nivelit maksimal të prodhimit është bindës. Nëse vërtetohet se ky argument ishte pa baza, bota do të jetë shumë me fat."

Çmimet aktuale të naftës do të jenë shumë të ulëta në krahasim me çmimet e karburantit në të ardhmen, nëse vërtetohet teoria e nivelit maksimal të prodhimit. Por Richard Smalley e sheh rritjen e çmimeve si një zhvillim pozitiv: "Problemi më i madh në sektorin e energjitikës nuk kanë qenë çmimet e larta, përkundrazi. Çmimet e ulëta që kanë mbizotëruar deri tani kanë penguar përpjekjet kërkimore për krijimin e teknologjive të reja. Tani që janë rritur çmimet mund të shohim një hov të ri në zhvillimin teknologjik për burimet alternative të energjisë."

Pavarësisht nëse vërtetohen teoritë e arritjes së nivelit maksimal të prodhimit, të gjithë vëzhguesit bien dakort se përdorimi në masë i hidrokarbureve ka ndotur atmosferën dhe i ka bërë Shtetet e Bashkuara të varura nga vende të paqëndrueshme, që kanë rezerva të mëdha nafte.

Amy Jaffe, e cila mendon se prodhimi nuk do të arrijë nivelin maksimal edhe për disa dekada, mbështet idenë e kërkimeve për burime të tjera energjie dhe të vendosjes së politikave për kursimin e energjisë, siç bëjnë vende të tjera të zhvilluara. "Japonia është ekonomia e dytë nga madhësia, por konsumi i naftës në këtë vend nuk ka shënuar ndonjë rritje të ndjeshme. Evropa, e cila ka një ekonomi thuajse po aq të madhe sa të Shteteve të Bashkuara ka arritur ta pakësojë konsumin e karburantit. Kjo ndodh pasi në këto vende janë zbatuar politika që pengojnë rritjen ekonomike që kërkon shtim të konsumit të lëndës djegëse. Janë vënë taksa të larta për konsumin e energjisë, në mënyrë që të mos ketë shpërdorim. Në këto vende qytetarët përdorin makina më ekonomike si dhe transportin publik. Franca ka një program të gjerë për energjinë bërthamore. Vende të tjera përdorin energjinë e erës".

Richard Smalley pohon nevojën për të kursyer energjinë, por ai shton se udhëheqësit botërorë duhet të mbështesin çdo përpjekje për të zbuluar burime të tjera energjie para se të thellohet kriza e naftës:

"Duhet t’i mbështesim këto përpjekje dhe t’i bëjmë thirje rinisë sonë dhe rinisë botërore që ta përqafojë këtë mision. Duhet ta zgjidhim këtë problem në mënyrë që fëmijët tanë të jenë në gjendje të gëzojnë një jetë të plotë, pa u dridhur me frikën se po shpërdorojnë energjinë, por të angazhohen për të vënë në jetë çdo dëshirë në një mënyrë që përputhet me mirëqënien e mjedisit në planetin tonë."

XS
SM
MD
LG