Lidhje

James Pettifer: angazhimi amerikan në rajon, i pandryshuar - 2004-11-13


Një ekspert britanik dhe autor librash për Ballkanin, thotë se do të ketë një vazhdimësi në angazhimin amerikan në rajon, pas rizgjedhjes së Presidentit Bush. Profesor James Pettifer, që në dhjetor nxjerr në qarkullim një libër të ri për Kosovën, thotë se status-quo-ja e tanishme në Kosovë, nuk mund të lejohet të vazhdojë gjatë.

Zeri i Amerikes: Zoti Pettifer, me përfundimin e zgjedhjeve këtu në Shtetet e Bashkuara, me rizgjedhjen e Presidentit Bush, si mendoni se do të jetë politika amerikane, por edhe e koordinuar me atë evropiane lidhur me Ballkanin në përgjithësi, por edhe me statusin e Kosovës në veçanti që do të diskutohet vitin e ardhshëm?

James Pettifer: Mendoj se do të ketë një vazhdimësi dhe se administrata amerikane do të merret me çështjen e Kosovës. Besoj se ekziston ndjesia që ka ardhur koha që të merren disa vendime për Kosovën dhe se status quo-ja e tanishme nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë. Po ashtu u mor edhe vendimi i rëndësishëm për njohjen nga ana e Shteteve të Bashkuara të emrit të Maqedonisë, që mendoj se është një sukses i madh për qeverinë e Shkupit. Një gjë e tillë mendoj se do të jetë pozitive edhe për Shqipërinë dhe Kosovën, sepse tregon se në rajon mund të ndodhin ndryshime vërtet të mëdha. Me duket se vendimi për njohjen e emrit të Maqedonisë është një humbje për diplomacinë greke, sepse do të thotë që nuk mund të vendosë veton për atë që ndodh në rajon. Sipas mendimit tim, qëndrimi i një administrate të zotit Kerry do të kishte qenë i ngjashëm me atë të kësaj administrate përsa i takon Ballkanit, pasi Shtetet e Bashkuara kanë interesa strategjike në rajon, por njëkohësisht nuk janë shumë të shqetësuara për ata që udhëheqin vendet e veçanta të rajonit. Këtë ata e shohin më shumë të lidhur me evropianët dhe me zhvillimet në Evropë.

Zeri i Amerikes: Juve keni një libër të ri që do të publikohet në Kosovë në ditët e para të dhjetorit, Kosova Express që flet për ngjarjet nga viti 1990 në vitin 1999. A mund të na thoni diçka më shumë për këtë libër?

James Pettifer: Libri ka lidhje me punën time si autor librash dhe gazetar në Kosovë, që në ditët e para të punës sime atje, në kohën e grevës së Trepçes dhe gjatë gjithë viteve 1990, si edhe për zhvillimet e luftës. Desha t’i kujtoja këto ngjarje, sepse mendoj se kam parë mjaft gjëra që jo shumë autorë, apo gazetarë i kanë parë, që në fillim kur Arkani ishte në Kosovë në vitet 1992-1993. Regjimi i Millosheviçit ishte shumë i fuqishëm në Kosovë atëherë dhe njerëzit përpiqeshin të bënin rezistencë sa të mundeshin. Mendoj përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar që janë tani në Kosovë duhet t’i kujtojnë këto ngjarje dhe të kuptojnë më mirë, sepse nuk më duket se ata e kuptojnë shumë mirë se ç’kanë kaluar këta njerëz.

Zeri i Amerikes: Duke mbetur përsëri tek statusi i Kosovës, a mendoni se ka ndonjë ide të qartë se çfarë do të bëhet në vitin 2005 dhe se mendoni se është e mundshme pavarësia e Kosovës, si mundësi për këtë status të arshshëm?

James Pettifer: Nuk mund të flas për gjithë Evropën, por në Londër ekziston bindja që pavarësia është e pashmangshme. Diplomatët mbase nuk janë shumë të sigurt sesi ta realizojnë. Sigurisht që ata kanë frikë se mos një gjë e tillë destabilizon rajonin, por njëkohësisht ata që e njohin Kosovën e dinë që edhe status-quo-ja mund të jetë destabilizuese dhe ka ardhur koha që të merren disa vendime të rëndësishme. Besoj se vera e ardhshme do të jetë koha e duhur.

Zeri i Amerikes: Juve sa u kthyet nga Shqipëria, ku do të ribotoni librin tuaj Blue Guide për Shqipërinë dhe Kosovën. Si iu duk Shqipëria këtë radhë, a patë ndryshime nga ana politike, sociale?

James Pettifer: Besoj se varet në çfarë zone të Shqipërisë je. Disa vende kanë bërë vërtet përparim të dukshëm gjatë tre katër viteve të fundit. Po ta krahasosh për shembull Vlorën sot me para katër pesë vjetësh, sheh gjëra pozitive. Por nëse shkon diku në Verilindje të vendit, është po ashtu siç ka qenë para 5 vjetësh. Nga pikëpamja politike, fushata për zgjedhjet ka filluar tashmë. Shumë nga zhvillimet e tanishme politike janë të lidhura drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt me zgjedhjet. Besoj se për Shqipërinë është e rëndësishme që të vazhdojë përshpejtimin e reformave, për t’iu afruar më shumë Bashkimit Evropian. Nuk mendoj se afrimi me këtë organizatë do të jetë i mundur, nëse nuk bëhet një luftë më e madhe kundër korrupsionit dhe programe më aktive reformash në Tiranë. Por duke qenë se jemi para zgjedhjeve, ndoshta nuk do të ketë shumë ndryshime, pasi politikanët do të jenë të angazhuar që të fitojnë zgjedhjet më parë.

XS
SM
MD
LG