Lidhje

Maqedoni: Kryeministri Kostov jep dorëheqjen - 2004-11-15


Kryeministri maqedonas Hari Kostov dha të hënën dorëheqjen, për shkak të mosmarrëveshjeve me partnerët e koalicionit qeveritar, sidomos me partinë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim.

Kryeministri Kostov ia dorëzoi vendimin e dorëheqjes kryetarit të parlamentit maqedonas, në të cilin theksohen pakënaqësitë për punën e ministrave të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Kryeministri në motivacionin e dorëheqjes tha se mes koalicionit qeveritar nuk ka marrëveshje dhe aktivitete të përbashkëta për realizimin e qëllimeve strategjike të Maqedonisë.

Ai tha se Bashkimi Demokratik për Integrim pjesëmarrjen në qeveri e kupton vetëm se si mekanizëm për realizimin e plotë të procesit politik të Marrëveshjes së Ohrit.

Zoti Kostov tha se kjo parti e përdor pjesëmarrjen në qeveri për shpalosjen e interesave të saj kombëtare dhe partiake, si dhe vetëm për realizimin e procesit të përfshirjes së shqiptarëve në administratën shtetërore.

Ai tha se partia e zotit Ali Ahmeti është përfshirë në korrupsion dhe interesa familjare, dhe se sipas tij nuk ka ndërmarrë masa për luftimin e këtyre dukurive.

Bashkimi Demokratik për Integrim bëri të ditur se është befasuar nga vendimi i kryeministrit Kostov. Zëdhënësja e kësaj partie, Ermira Mehmeti tha se kryesia partiake do të shqyrtojë këtë vendim të papritur të zotit Kostov.

Ajo mohoi kritikat e zotit Kostov, duke theksuar se bashkëpunimi mes partive të koalicionit qeveritar gjithmonë ka qenë në nivelin e duhur dhe me rezultate të suksesshme.

Sipas Kushtetutës së vendit, në rast të dorëheqjes së kryeministrit, presidenti i ofron mandat të ri partisë që ka shumicën në parlament. Po sipas kushtetutës në një rast të tillë, të gjithë ministrat e humbin postin dhe i kryejnë funksionet e tyre deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Zoti Kostov i njohur si bankier dhe ekspert i ekonomisë u zgjodh kryeministër i vendit në fillim të qershorit të këtij viti.

XS
SM
MD
LG