Lidhje

Karriera e Sekretarit të Shtetit Colin Powell - 2004-11-15


Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell, i cili thuhet të ketë pasur shpesh mosmarrëveshje me zyrtarë të tjerë në administratën e presidentit Bush mbi çështjet e politikës së jashtme, dha dorëheqjen. Ky veprim pritej, ndërsa presidenti po bën ndryshime në kabinetin e tij për mandatin e dytë.

Colin Powell solli kredenciale të përkryera ushtarake dhe civile kur u betua si sekretar shteti me 20 janar të vitit 2001. Duke qenë ushtarak profesionist për 35 vjet me radhë, ai arriti në gradën e gjeneralit me katër yje. Ai u bë shef i shtabit të bashkuar të forcave amerikane nën presidentin e parë Bush dhe presidentin Klinton. Dhe, para kësaj, ai ishte këshilltar i sigurimit kombëtar për presidentin Regan.

Thomas Keaney ekspert i politikës së jashtme në Fakultetin e Studimeve Ndërkombëtare Johns Hopkins, thotë se arritja e zotit Powell në Departamentin e Shtetit në kohën kur presidenti Bush mori pushtetin para katër vitesh pati një ndikim shumë pozitiv. “Kur erdhi ai, u ngrit edhe morali edhe statusi i departamentit të shtetit dhe ky institucion u bë tërheqës për ata që dëshironin të hynin aty. Ai ktheu diçka të cilën sekretarët e mëparshëm e kishin injoruar: moralin e punonjësve për të treguar se zërat e tyre dëgjoheshin, dhe se ata do të kishin ndikim në politikë, një ndikim që më parë e kishte patur vetë sekretari si në rastin e Madeleine Albright.”

Zoti Powell u bë zëri i moderuar që bënte thirrje për kujdes, veçanërisht gjatë përgatitjes për ndërhyrjen në Irak në mars të vitit 2003. Charles Kupchan, ish pjesëtar i Këshillit të Sigurimit Kombëtar, thotë se zoti Powell shërbente si ekuilibrues ndaj disa anëtarëve të tjerë të administratës së presidentit Bush, si për shembull sekretarit të mbrojtjes Donald Rumsfeld. “Sekretari Powell kishte hezitime për luftën në Irak, dhe anonte gjithmonë nga qendra kundrejt tendencave më ekstreme të të tjerëve në administratën e presidentit Bush. Dhe po të shihet në retrospektivë, duket se ai nuk qe në gjendje të fitonte. Në fund të fundit, ai ishte mbështetësi kryesor i luftës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ai i dha argumentet Këshillit të Sigurimit të cilat dolën të ishin të pasakta.”

Shumë ekspertë thonë se fjalimi i sekretarit Powell në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me 5 shkurt 2003 kur ai paraqiti ato që administrata besonte të ishin prova që Iraku posedonte armë të shkatërrimit në masë, ishte fjalimi më i rëndësishëm i mandatit të tij, duke parashtruar arsyet për një luftë në Irak. “Unë nuk mund t’ju them gjithçka që dimë ne, megjithatë unë mund të ndaj me ju atë që ne kemi mësuar së bashku gjatë viteve me radhë dhe kjo është shumë shqetësuese. Ajo që do të shihni është një grumbullim faktesh dhe modelesh shqetësuese sjelljesh. Faktet dhe sjellja e Irakut tregojnë se Sadam Husein dhe regjimi i tij nuk kanë bërë as edhe një përpjekje për t’u çarmatosur, siç është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar.”

Thomas Keaney, analisti nga Johns Hopkins, thotë se zoti Powell ka qenë kyç në bindjen e pjesëtarëve të administratës së presidentit Bush për t’ia paraqitur çështjen Kombeve të Bashkuara. “Administrata ishte nisur drejt fillimit të luftës në Irak, pa ndonjë lloj ndërhyrjeje apo miratimi nga Kombet e Bashkuara. Për zotin Powell ishtë një plus fakti që ai i bëri Shtetet e Bashkuara të kërkonin miratimin e Kombeve të Bashkuara.”

Shumë ekspertë, duke përfshirë ish anëtarin e Këshillit të Sigurimit Kombëtar Charles Kupchan, besojnë se trashëgimia e zotit Powell do të jetë ndikimi i tij i moderuar mbi politikën e jashtme të administratës së presidentit Bush. “Nëse themi ‘le t’i hedhim një sy viteve të fundit,’ atëherë çfarë shohim. Ne shohim Shtetet e Bashkuara duke bërë negociata me Libinë, Iranin dhe Korenë e Veriut. Ne shohim Shtetet e Bashkuara i kthyen kurrizin Europës dhe NATO-s për ndihmë në Irak. E gjithë kjo nuk është treguese se zoti Powell ka ushtruar ndikim, sepse pjesë e saj është pragmatizmi. Shtetet e Bashkuara u përpoqën të hyjnë vetëm në Irak dhe zbuluan se kjo ishte shumë e pakënaqshme. Por është e qartë, se kthimi në tyrezën e biseidmeve, duke preferuar punën me aleatë në vend të veprimit vetëm, ne shohim ndikimin e zotit Powell kundrejt të tjerëve në administratë, të cilët mund të konsiderohen më ekstrem, dhe në këtë aspekt, largimi i zotit Powell është shqetësues, sepse tregon që zëri më i moderuar gjatë mandatit të parë nuk do të jetë i pranishëm gjatë mandatit të dytë.

Sekretari Powell thotë se ai gjithnjë e ka pasur në mend të shërbente vetëm gjatë një mandati, dhe ai do të qëndrojë në atë post deri sa të konfirmohet një pasardhës. //bsa//

XS
SM
MD
LG