Të shtunën në New York, mijera njerëz prisnin në radhë të gjata për të hyrë në Muzeun e Artit Modern, i cili u rihap pas zgjerimit dhe rinovimit të tij, që zgjati për dy vjet e gjysëm.
Gjatë kësaj periudhe, veprat e artit modern ishin ekspozuar në një kompleks sallash ne lagjen Quins. Zgjerimi dhe rinovimi i ndërtesës së Muzeut Modern kushtoi 425 milionë dollarë.
Tani hapësira e galerisë është thuajse dy-fishuar. Vetëm kryevepra e piktorit impresionist Klod Mone e vitit 1920, Zambake uji, është ekspozuar në një faqe të tërë muri. Po ashtu, një mur i tërë u është lënë edhe pikturave të tjera me permasa të mëdha. Portreti i Marylin Monrose, vepër e piktorit Endi Uorhol, është vendosur pranë veprave te artistit bashkëkohor Chuck Close.
Një galeri e tërë i është kushtuar posaçërisht dy titaneve të artit modern, Pablo Pikasos dhe Henri Metisit. Veprat e tyre janë vendosur pranë, pikërisht për të treguar se si kane ndikuar ata tek vepra e njeri tjetrit.
Shumica e veprave në Muzeun e Artit Modern janë vendosur në menyrë kronologjike. Në koleksionin e përhershëm të Muzeut përfshihen 150 mijë piktura, fotografi, vizatime, plane arkitekturale dhe vepra të tjera arti. Projekti i ri i ndërtesës 6 katëshe u krijua nga arkitekti japonez Jushio Taniguci. Ai përmban edhe elemente arkitekturale të ndërtesës së vjetër.
Hyrja në muze kushton 20 dollarë dhe gazeta New York Times shkruante se kjo është një shifër shumë e madhe dhe cinike. Për grupet e nxënësve të shkollave hyrja në muze do të jetë falas dhe po ashtu falas do të jetë edhe hyrja në muze ditët e premte. Dhe pikërisht keto ditë radhët me siguri që do të jenë edhe më të gjata.